Sport

Basketbolli i Kosovës në “bllokadë”, shkas procesi i vaksinimit në palestra sportive


Nisja e procesit të vaksinimit në Kosovë muaj më parë, u mirëprit, por jo edhe zëvendësimi i palestrave sportive në qendra ku njerëzit po vaksinohen.

Kësi soji, palestrat po qëndrojnë të bllokuara edhe për një kohë dhe disa ekipe të basketbollit janë të detyruara që stërvitjet t’i mbajnë në ambiente jo të përshtatshme, teksa ndeshjet të cilat do të realizohen në kuadër të kampionateve të sporteve të ndryshme, do të mbahen pa publik.

Një gjendje të tillë, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, po e sheh si një problem të madh, ndërsa kjo situatë thuhet të zgjas minimalisht deri nga mesi i muajit dhjetor të këtij viti, kur edhe thuhet të përfundoj vaksinimi masiv i popullatës.

Në një intervistë për Albanian Post, Fetahu, tregon se këtë problem e ka paraqitur edhe tek autoritetet shtetërore, përfshirë, Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe atë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Arben Fetahu – Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.

“Zënien e palestrave me aktivitetet e vaksinimit e kemi trajtuar disa herë edhe zyrtarisht edhe formalisht me autoritetet tona gjatë këtyre muajve të fundit. Në përgjigje të shkresave që FBK ua ka dërguar MSH dhe MKRS jemi njoftuar edhe zyrtarisht para disa javësh që hapje të palestrave për sportin nuk mund të ketë së paku deri më 15 dhjetor, do të thotë deri në përmbyllje të fazës së vaksinimit masiv”.

“Duke qenë se këto palestra janë nominuar nga komunat përkatëse si vende në të cilat duhet të realizohet procesi i vaksinimit përgjatë këtyre gjashtë muajve, MSH dhe autoritetet përkatëse e kanë të pamundur bartjen e logjistikës që përcjell vaksinimin në këtë fazë”, thotë Fetahu.

“Kam pasur biseda personale me drejtuesit e ministrive të shëndetësisë dhe sportit në nivel vendi, dhe bashkërisht kemi shqyrtuar mundësitë për të liruar palestrat por është evidente që palestrat nuk mund të lirohen së paku deri në përfundim të kësaj faze të vaksinimit masiv, do të thotë deri në fund të këtij viti”, shton ai.

Me problemin e zënies së palestrave sportive aktualisht po ballafaqohen tri nga gjithsej tetë ekipet e Superligës, të cilat ndeshjet po i zhvillojnë nëpër palestra të tjera të licencuara nga FBK-ja për garat e nivelit të tyre.

Qendra e Vaksinimit në Prishtinë, 111

Dy ekipet e basketbollit nga Prizreni, “Bashkimi” dhe “Prizreni 16” janë detyruar që një pjesë të stërvitjeve dhe ndeshjeve t’i zhvillojnë në Suharekë dhe Rahovec, ndërsa, ekipi “RC Cola Drita” nga Gjilani, dy ndeshjet e para i ka zhvilluar mes Prishtinës dhe Rahovecit.

Një zhvendosje e tillë, veç tjerash, ka edhe koston e saj.

“Kjo natyrisht se ua ngritë atyre koston e transportit dhe për më tepër u shkakton shumë kokëçarje me stërvitjet, sepse të tria këto skuadra janë të detyruara që një pjesë të stërvitjeve ta kryejnë nëpër salla të shkollave, të cilat nuk i kanë as dimensionet e plota për sportin e basketbollit, as koshat e konstruksionet e duhura të koshit e as nuk ofrojnë kushte optimale për ushtrime”.

“Sa u përket shpenzimeve, të tria ekipet kanë raportuar rritje të kostove por ne kemi shpresë se autoritetet në të dyja nivelet do të jenë në gjendje t’u ndihmojnë këtyre ekipeve me kostot e transportit”, thotë ai.

Palestra sportive në Rahovec.

Sipas të parit të FBK-së, problemi i shndërrimit të palestrave sportive në qendra vaksinimi, pritet të jetë akoma më i theksuar kur të fillojnë ligat edhe në sportet e tjera.

“Palestrat në Kosovë janë të ngarkuara edhe kur i kemi të gjitha në dispozicion. Vetëm në sportin e basketbollit i kemi 7 ekipe seniore në Prizren, si dhe një numër ekipet të grup moshave të reja. Imagjinoni kur t’i shtohen kësaj edhe sportet tjera me dorë dhe futsalli që garat e stërvitjet i zhvillojnë në po të njëjtën palestër”.

“Do të jetë shumë më i vështirë rifillimi i garës jashtë komunave të tyre për femrat, ligat më të ulëta dhe kategoritë e reja se sa që ka qenë për ekipet e superligës së meshkujve, për shkak të kufizimeve financiare dhe logjistike me të cilat këto ekipe përballen në vazhdimësi e në veçanti tash në këtë kohë krize globale”, shpjegon ai.

Për dy ekipet nga Prizreni, Fetahu, zbulon se së fundmi është bërë një kërkesë për pranimin e palestrës “Arena”, si vend për zhvillim të garave gjatë këtij sezoni.

“Në rastin e Prizrenit e kemi pranuar javën e kaluar një kërkesë për pranimin e një palestre të re (Prizren Arena) për zhvillimin e garave në të gjatë këtij stinori dhe këtë kërkesë do ta trajtojmë këtë javë me qëllim të vërtetimit nëse e njëjta plotëson kushtet e nevojshme për licencim”.

“Kam shpresë se vlerësimi do të jetë pozitiv dhe me këtë do të lehtësohej sadopak gjendja në këtë qytet”, thotë Fetahu.

Me udhëzimin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në masat e reja, vetëm 10% e kapacitetit të hapësirës së palestrës sportive është i mundur për publik, një gjë e tillë, sipas Fetahut, është e pakuptimtë kur marrim për bazë disa sfera të tjera, të cilat po funksionojnë më lirshëm.

“Në realitet, të kemi kinematë e teatrot si hapësira më të vogla që punojnë me kapacitet më të lartë e palestrat e sportit si hapësira më të mëdha të mbyllura të punojnë me kapacitet më të ulët nuk ka kuptim”.

“Ne kemi kërkuar disa herë, edhe zyrtarisht e me shkrim, që të kemi hapje më të shpejtë për publikun dhe trajtim të ngjashëm me evenimentet tjera kulturore, duke u zotuar të sigurojmë (bashkë me autoritetet) se hyrja në palestra do t’u lejohet vetëm shikuesve të vaksinuar, e besojmë kjo do të shërbente edhe si masë shtytëse shtesë për përshpejtimin e vaksinimit të plotë të popullatës”, thotë ai.

“Publiku është i etur për basketboll dhe duke qenë sporti më i ndjekur në vend besoj se mund të luajmë edhe ne rol të rëndësishëm në nxitjen e vaksinimit përmes lejimit të një kapaciteti të shtuar të shikuesve të vaksinuar nëpër palestrat tona”, përfundon Fetahu.

Kjo gjendje e rënduar e basketbollit në Kosovë, do të zgjas deri në një vendim të radhës të Ministrisë së Shëndetësisë apo Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore