Media e njohur sociale TikTok nuk ka prekur thjesht jetën e të rinjve në njohjet që ata bëjnë me njëri-tjetrin dhe famën që disa prej tyre fitojnë nëpërmjet videove virale. “Pre” e TikTok-ut, kanë rënë tashmë edhe baristët, disa prej të cilëve ankohen se media sociale, po prish çdo ekuilibër mbi pijet.
Ankesat i ka filluar një punonjës i Starbucks, i cili u ankua se një klient, kishte kërkuar që në pijen e tij të kishte 13 ndryshime nga receta origjinale.
Josie Morales, baristi i Starbucks, publikoi në Twitter një foto nga fatura që kishte prerë për klientin. Në vend që të ngjajë si një faturë pijesh, ajo duket më shumë si një faturë supermarketi.
“Një pjesë nga episodi i sotëm i ‘Dua të lë punën time’”, shkruan ironikisht Josie në median e tij sociale.
Përtej kësaj, ky tweet i kushtoi Josie-t edhe shkarkimin nga vendi i punës. Kjo, pasi eprorët e tij e pikasën postimin dhe binte ndesh me rregullat e kompanisë mbi trajtimin e klientit.
Kështu, Josie-t nga California, ia kushtoi vendin e punës një “Caramel Ribbon Crunch Frappuccino”, me 13 shtesa jashtë normës.
Kjo histori ngjalli menjëherë interes dhe si e tillë, u bë virale në media sociale. Klientët, kanë filluar të kërkojnë recetën nga dyqanet e Starbucks në zonat e tyre. Madje, ata kanë vendosur që pijen e re, ta quajnë “The Edward”.
Baristë të tjerë tashmë janë “çmendur” nga ky trend dhe ankesa të shumta janë adresuar publikisht.
Starbucks gjithsesi, me 200 mijë partnerët botërorë të kompanisë, pretendon se “shërbimi ndaj klientit, është absolutisht esencial dhe kryefjalë për politikat e tyre”.
Me sa duket, i vetmi i cili nuk duhet të durojë më tekat ekstravagante të klientëve, është Josie!
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com