Lajme

Banka Qendrore e Turqisë synon të qetësojë investitorët, lira vijon rënien


Guvernatori i Bankës Qendrore të Turqisë, Şahap Kavcıoğlu, u përpoq të zbuste shqetësimet e investitorëve për politikën monetare që po zbaton Banka.

Ditën e sotme, më 29 mars, ai tha se një vendim për të ulur normën bazë të interesit muajin e ardhshëm, nuk duhet menduar si i sigurt. Pohimi solli rënien e menjëhershme të lirës turke.

Nuk ka asnjë siguri se Komiteti i Politikave Monetare (KPM) do të vendosë më 15 prill që të ulë normën e interesit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, beson se norma e lartë e interesit është arsyeja kryesore që sjell rritjen e inflacionit.

Zhvlerësimi i lirës turke është një barrë e vjetër, të cilën Turqia e vuan prej kohësh.

Pas një stabilizimi relativ mes viteve 2008-2018, inflacioni ka njohur rritje në ritme të larta.

Nga viti 2017 deri më sot, Turqia ka pasur një inflacion kumulativ prej 74,49%.

Vetëm nga viti i shkuar, inflacioni u rrit me 15,95%.

Për referencë, 100 lira turke në vitin 2017 janë të barabarta me 174,49 lira në vitin 2021.

Pikërisht çështja e inflacionit, solli përballjen e presidentit me guvernatorin paraardhës, Naci Ağbal.

Ai erdhi në krye të Bankës me mbështetje të fortë nga presidenti në nëntor të vitit 2020, duke ngjallur besim te investitorët.

Ağbal përfundoi i shkarkuar me një dekret presidencial, pas më pak se pesë muajve në detyrë.

“Unë nuk e aprovoj qasjen paragjykuese ndaj vendimeve të KPM-së në vazhdim, për një rënie të menjëhershme të normave të interesit”, tha Kavcıoğlu.

Lira është zhvlerësuar me 0,5 pikë përqindjeje, ku një dollar shkëmbehet me 8,17 lira turke.

“Lira nuk po u përgjigjet mirë deklaratave të Kavcıoğlu”, tha Tim Ash, ekspert i strategjive pranë BlueBay Asset Management në Londër.

“Në vend që të thoshte që norma e interesit mund të mos bjerë në prill, ai duhet të thoshte se është i përgatitur ta rrisë nëse është e domosdoshme”, vijoi ai.

Kavcıoğlu nuk ka dashur të komentojë vendimet e paraardhësit të tij. “Nuk më duket me vend të komentoj për vendime që i përkasin të shkuarës”, tha ai.

Një problem tjetër që ka munduar dhe paraardhësin e tij, ka qenë pavarësia e Bankës Qendrore nga ekzekutivi. Për këtë çështje, Kavcıoğlu tha se “Banka do të ruajë pavarësinë e instrumenteve, siç përcaktohet në ligj”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore