Kosova

Banka Botërore pret nga Kosova rritje ekonomike


Banka Botërore,

Banka Botërore, ka deklaruar se pret nga Kosova dhe nga Ballkani Perëndimor rritje ekonomike për vitin 2024, ku ka parashikuar përshpejtim të rritjes edhe për vitin 2025.

Nga Banka Botërore është thënë se aktiviteti ekonomik në Ballkanin Perëndimor pritet të rritet këtë vit në 3.2 për qind.

“Që është 0.2 përqindje më shumë sesa parashikonte Banka Botërore në raportin e mëparshëm dhe më pas rritje në 3.5 për qind në vitin 2025”.

“Rritja e PBB-së në Kosovë pritet të përshpejtohet në 3.7 për qind në vitin 2024, e mbështetur nga stabilizimi i vazhdueshëm i çmimeve ndërkombëtare dhe më vonë do të rritet drejt potencialit të Kosovës prej rreth 4 për qind, e nxitur nga flukset e qëndrueshme të diasporës dhe një rritje gradual e investimeve”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Plani prej 6 miliardë eurosh pritet ta ndihmojë Ballkanin Perëndimor në forcimin e lidhjeve ekonomike mes rajonit dhe Bashkimit Evropian.

“Sipas Bankës Botërore, përmirësime të tilla si reduktimi i kohës së zhdoganimit dhe modernizimi i sistemeve të pagesave në vendet e rajonit mund të çojë në përfitime të ndjeshme ekonomike për këto vende”.

“Investimi në tranzicionin e gjelbër dhe përmirësimi i nivelit të jetueshmërisë së qyteteve në Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojë gjithashtu në rigjallërimin e rritjes rajonale, sipas raportit të Bankës Botërore”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Më 6 prill të 2023-së, Banka Botërore kishte bërë të ditur se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2022 ka qenë 3.5 për qind, ndërsa për vitin 2023 do të ketë një rritje modeste me 3.7 për qind.

Mirëpo, në Kosovë, gjatë vitit 2022, janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e produkteve bazë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor.

Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore