Balla takohet me autoritetet britanike: Rënie drastike e numrit të emigrantëve të paligjshëm drejt MB-së
Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla priti të premten Koordinatorin Special të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për Migracionin e Paligjshëm, gjeneralin Stuart Skeates.
Gjatë takimit, palët deklaruan se rezultatet e Task Forcës së Përbashkët për Migracionin janë mjaft domethënëse me një ulje prej 92 për qind të rasteve të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë krahasuar me vitin e kaluar.
“Rezultatet e Task Forcës së Përbashkët janë domethënëse me një ulje prej 92 për qind të rasteve të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë krahasuar me vitin e kaluar. Rasti më i fundit i riatdhesimit të 5 emigrantëve të paligjshëm shqiptarë brenda javës të cilët kishin udhëtuar drejt Britanisë së Madhe në mënyrë të paligjshme është shprehje kuptimplotë e bashkëpunimit dhe punës së agjencive ligjzbatuese shqiptare në luftën kundër emigracionit të paligjshëm”, tha Balla.
Sipas tij, rezultatet domethënëse dhe bashkëpunimi ekzistues me agjencitë ligjzbatuese britanike në fushën e emigracionit të paligjshëm, duhet të thellohen edhe në fusha të tjera si lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Nga ana e tij Gjenerali Skeates tha se “është e qartë se iniciativa e përbashkët ka mundësuar rezultatet domethënëse të muajve të fundit. Falë lidershipit tuaj është mundësuar ulja drastike e mbërritjeve të paligjshme të shqiptarëve në Britaninë e Madhe nëpërmjet gomoneve prej 92 për qind më pak”.
Dy ditë më parë, ministri britanik për Emigracionin, Robert Jenrick, deklaroi se që nga marrëveshja me Shqipërinë në dhjetor të vitit të kaluar, janë kthyer mbi 3 mijë e 500 emigrantë ilegalë në fluturime javore.
Sipas tij, është shënuar një ulje prej më shumë se 90 për qind të numrit të shqiptarëve që vijnë ilegalisht.
Konkretisht, deri më tani këtë vit ka pasur mbi 12 mijë e 600 kthime, me kthime në gjysmën e parë të këtij viti 75 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Ndërkaq, grupet e të drejtave të njeriut thonë se Home Office (Ministria e Brendshme – ed.) është përpjekur të manipulojë debatin për varkat e vogla.
Kjo, duke i etiketuar të ardhurit nga Shqipëria si emigrantë ekonomikë dhe madje kriminelë dhe jo si refugjatë.
Nga 45 mijë e 756 personat që mbërritën me varka të vogla vitin e kaluar, 28 për qind erdhën nga Shqipëria.
Organizatat bamirëse argumentojnë se azilkërkuesit nga Shqipëria udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar kryesisht për shkak të varfërisë dhe korrupsionit dhe se shumë të rinj “shfrytëzohen në mënyrë të egër” pasi mbërrijnë.
Por, sa nga emigrantëve shqiptarë u jepet azil?
Deri në qershor të vitit 2022 janë paraqitur 7 mijë e 267 kërkesa për azil nga emigrantët shqiptarë, dyfishi i një viti më parë.
Në përgjithësi, sipas të dhënave nga multimediali britanik “BBC” 53 për qind e pretendimeve nga shqiptarët pranohen.
Rreth 14 për qind e pretendimeve të suksesshme ishin nga burra beqarë, të rritur. Shumica ishin nga gra dhe fëmijë.
Disa emigrantë shqiptarë besohet se bëjnë kërkesa për azil me arsyetimin se janë viktima të trafikut në Mbretërinë e Bashkuar.
Qytetarët shqiptarë të kualifikuar mund të aplikojnë për viza, me kohëzgjatje të ndryshme, për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar për turizëm, biznes, studime dhe aktivitete të tjera.
“The Guardian” më herët shkruante se arsyeja për rritjen e numrit të refugjatëve në Mbretërinë e Bashkuara nuk është ajo siç zyrtarët britanikë e quajnë “gangsterizmi” shqiptar ose fuqizimi i atij kurd.
Nuk është as paaftësia e forcave franceze në Calais apo varkat e shpëtimit, por është “paaftësia e Home Office për të përpunuar kërkesat”.
Një procedurë që duhet të zgjasë disa orë dhe, në shumicën e rasteve, të rezultojë në pranim të shpejtë në fuqinë punëtore në nevojë të Britanisë, tani përbën 173 mijë refugjatë potencialë të paprecedentë në arrest shtëpie dhe në pritje të një vendimi.
Ky është më shumë se dyfishi i numrit të të burgosurve të zakonshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore