Kosova

Bajrami, Qeverisë: Ia keni humbur Kosovës 4 vjet – 128 milionë euro më pak investime kapitale


Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur “zhgënjyese” performancën e Qeverisë së Kosovës në tremujorin e parë të vitit të katërt të udhëheqjes së tyre.

Ajo ka thënë se vetëm gjatë këtij viti ka më pak investime kapitale, më pak buxhet për mallra dhe shërbime.

“128 milionë euro më pak investime kapitale, 59 milionë euro më pak mallra dhe shërbime, 77 milionë euro më pak subvencione dhe transfere dhe 14 milionë euro më shumë në paga dhe shtesa”, thuhet në shkrimin e saj në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas saj, pushteti i Kurtit ka treguar se fokusi i tyre është vetëm në ngritjen e pagave të tyre.

“Të dhënat e konfirmojnë edhe njëherë performancën shumë të dobët të kësaj Qeverie, për me tepër këto të dhëna konfirmojnë se qeveritarëve përpos për paga të veta, për asgjë tjetër nuk ku bëhet vonë”.

“Projekte infrastrukturore këto në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve: Nga 859 milionë euro sa janë të planifikuara për investime kapitale për vitin 2024, deri me 31 mars janë investuar vetëm 87 milionë euro ose vetëm 10%, thënë me qartë 128 milionë euro me pak se planifikimi”.

Ajo ka përmendur edhe mallrat e shërbimet si dhe buxhetin që është ndarë për këto të fundit.

“Barna esenciale, mjete për spitale, mjete pune dhe pajisje për polici, ushtri, qerdhe, spitale, shtëpi për të moshuarit, strehimore, ushqim në institucione publike, materiale shpenzuese për mbarëvajtjen e punëve në institucione publike etj”.

“Nga 519 milionë euro të planifikuara për mallra e shërbime për vitin 2024, deri me 31 mars janë shpenzuar vetëm 70 milionë euro ose vetëm 14%, thënë me qartë 59 milionë euro më pak mallra dhe shërbime për qytetarët dhe bizneset”.

Ngjashëm situata, sipas Bajramit qëndron edhe me subvencione dhe transfere.

“Pensione për kategori të ndryshme shoqërore dhe subvencione për bujqësi, biznese, art, kulturë dhe sport: nga 1 miliardë e 105 milionë euro sa janë të planifikuara për subvencione dhe transfere për vitin 2024, deri me 31 mars janë dhënë  188 milionë euro apo vetëm 17%, thënë me qartë 77 milionë euro më pak”.

Ndërkaq, ka theksuar rritjen e pagave të ministrave dhe kabineteve të tyre.

“Nga 805 milionë euro të planifikuara për paga dhe mëditje për vitin 2024, deri me 31 mars janë shpenzuar 216 milionë euro ose 27% ose thënë me ndryshe 14 milionë euro më shumë, nuk është gabim janë 14 milionë euro më shumë se planifikimi sepse këtu nuk janë në pyetje qytetarët por janë pushtetarët”.

Duke shtuar se “ja humbet Kosovës 4 vjet!”.

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, vazhdimisht është kritikuar për politikat ekonomike, posaçërisht për mungesën e investimeve kapitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore