Kosova

Avokati Kërveshi paralajmëron se do ta padis kryetarin e Shtërpcës Dalibor Jetviç, për gjuhën toksike ndaj ushtarit të FSK-së Azem Kurtajt


“Ndërhyrjet në drejtësi dhe cenimi i dinjitetit të z. Kurtaj nuk kanë të ndalur”. Kështu ka reaguar Kujtim Kërveshi, avokat i pjesëtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Azem Kurtaj i cili akuzohet për plagosjen e dy fëmijëve të komunitetit serb në fshatin Govushë të Shtërpcës në fillim të këtij viti.

Në llogarinë tij në Facebook, Kërveshi ka ndarë një cicërrimë në Twitter të kryetarit të Shtërpcës, Dalibor Jetviç, duke thënë se ai bërë ndërhyrje arbitrare në procesin gjyqsorë ndaj të akuzuarit, ushtarit të FSK-së.

“Mbrëmë, Kryetari i komunës së Shtërpces, publikisht dhe në mënyrë arbitrare ka ndërhyrë në procesin gjyqësor të të mbrojturit tonë, duke paragjykuar rastin dhe cenuar dinjitetin e klientit tonë, për çka, ne mbrojtja e z Kurtaj nuk do të rrimë duke bërë rolin e spektatorit”, ka shkruar ai.

“Duke komentuar në Twitter, i njëjti paska spekuluar ndër të tjerash se, gjoja i mbrojturi jonë paska shtënë në drejtim të dy të plagosurve”.

Kundër kësaj deklarate publike, Kërveshi ka dhënë shpjegime, duke treguar se “nuk ekziston asnjë dëshmi që i mbrojturi jonë ka shtënë në drejtim të të plagosurve”.

“Jevtiç nuk besoj se ka kompetencë profesionale e posaçërisht nuk ka të drejtë të paragjykoj raste të cilat hynë në domenin e gjyqësorit, ti vlerësoj ato e të jap konstatime profesionale”, ka shkruar më tej ai.

“Një veprim i tillë politik, besojmë ne, ka për qëllim vetëm përfitimin politik në mesin e atyre që i besojnë një përfaqësuesi të tillë”.

“I njëjti shkon edhe më larg, kur i jep kontekst etnik kësaj ngjarje dhe vazhdon duke konkluduar se “deri sa serbët i paraburgosin dhe dënojnë pa prova, tentim vrasja ndaj serbëve kualifikohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Për këtë deklaratë, avokati Kërveshi ka thënë se do të bëj padi.

“Me këtë rast, kushdo, kurdo dhe ku do që tenton me e etiketuar z Kurtaj, me ndërhy në drejtësi, me e ofenduar dhe/ose me shpifë dhe të fyej z. Kurtaj, ne do të kërkojmë që drejtësia të flas përshtatshmërisht dhe pa paragjykim, për aq sa ne na takon”.

“Si mbrojtje e z Kurtaj, as këtë deklarim e asnjë veprim të ardhshëm nuk do e tolerojmë dhe do e adresojmë sipas ligjit”.

Avokati Kërveshi ka kërkuar publikisht nga Dalibor Jetviç që të distancohet nga kjo gjuhë toksike dhe të kërkoj falje publike, “në rast të kundërt, shihemi në gjykatë”, ka përfunduar ai.

Më gjashtë janar të këtij viti, dy të rinj serb, 11 dhe 21-vjeç, kushërinj, u qëlluan qëlluar me armë zjarri në afërsi të qytetit të Shtërpcës.

Për këtë rast, organet e rendit kanë arrestuar Azem Kurtajn, ushtar i FSK-së, i cili u tha se me armë qëlloi deri sa ishte në lëvizje me veturë.

Dy të rinjtë e plagosur kanë marrë trajtim mjekësorë dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Kurtaj akuzohet për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore