Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, Mark Ellis, ka thënë se është e rëndësishme që sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit të hetohet nga një ekip ndërkombëtar.
“Degëzimi i hetimeve, një nga Kosova, një nga Serbia, për mua nuk është drejtimi i duhur. Duhet të ketë një hetim të konsoliduar dhe të pavarur ndërkombëtar, për të cilin të dyja palët do të binin dakord”, ka thënë Ellis në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Avokati britanik ka treguar edhe arsyet se pse e mbështet një hetim ndërkombëtar.
Së pari, pohoi ai, “akti ishte flagrant dhe shkelje e një sërë parimesh në bazë të ligjit”, dhe se është e rëndësishme që të ketë “një hetim objektiv se kush qëndron prapa tij dhe cilat janë elementet terroriste”.
“Mendoj, po ashtu, se hetimi ndërkombëtar do t’i ulte tensionet për këtë çështje, sepse nëse kërkohet nga cilado palë e ekuacionit të hetojë, nuk jam i sigurt se një gjë e tillë do të sillte ndonjë lloj pranimi të gjetjeve”, shtoi.
Për formën se si do të mund të bëhej hetimi ndërkombëtar, Ellis theksoi se janë dy rrugë.
“E para është një hetim i mandatuar nga Kombet e Bashkuara, një lloj komisioni. Ai do të mund të mandatohej nga sekretari i përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit apo Asambleja e Përgjithshme. Kjo do të ishte një kërkesë e përshtatshme”.
“Nëse do të pranohej, nuk e dimë. Por, kjo do t’i jepte besueshmëri të madhe një hetimi ndërkombëtar dhe të pavarur. Pra, kjo do të ishte qasja e parë”.
E dyta, sipas tij, do të mund të ishte jashtë sistemit të mandatit të OKB-së, “do të mund të bëhej kërkesë për një mision shumëpalësh për hetime”.
“Në atë rast, disa vende bëhen së bashku dhe kryejnë një hetim objektiv dhe intensiv”.
“Është shumë e rëndësishme në rastin e Kosovës që të bëjë përpjekje për të gjetur se kush ka qenë përgjegjës për grupin e terroristëve [në Banjë], a ka pasur mbështetje shtetërore apo ka vepruar i vetëm. Të gjitha këto duhet të hetohen dhe pastaj të nxirren gjetjet”, pohoi.
Çfarë ndodhi?
Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.
Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.
Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë