Lajme

Avioni që premton shumë për të ardhmen e fluturimeve me zero karbon


Teksa kriza klimatike intensifikohet, presioni mbi industrinë e aviacionit për të ulur emetimet rritet.

Ndaj industria ka bërë një hap përpara, me një fluturim të suksesshëm testues të një motori hidrogjen-elektrik, i cili nuk prodhon emetime karboni.

Të enjten  e 19 janarit, avioni me dy motorë Dornier 228 me 19 vende të ZeroAvia përfundoi një fluturim testimi afërsisht dhjetë minuta në Mbretërinë e Bashkuar.

Avioni, paçka se ndenjëset i ka më ë vogla në krahasim me avionët e rregullt të pasagjerëve, është më i madhi që ka bërë një fluturim të suksesshëm të mundësuar nga një motor hidrogjen-elektrik.

Teknologjia e tij, duke përdorur hidrogjen të lëngshëm për të ushqyer qelizat e karburantit, eliminon emetimet e karbonit gjatë fluturimit.

Kjo është pjesë e një gare për dekarbonizimin e industrisë së aviacionit, e cila aktualisht përbën rreth 2.5 për qind të emetimeve globale të karbonit.

Hidrogjeni është identifikuar si një zgjidhje premtuese e karburantit për avionët, sepse nuk prodhon gazra serë kur digjet.

Megjithatë, nëse hidrogjeni nuk prodhohet duke përdorur energji të rinovueshme, procesi për krijimin e tij mbështetet në lëndët djegëse fosile.

Dornier 228 u pajis me një prototip me përmasa të plota të motorit hidrogjen-elektrik, që përmban dy pirgje qelizash karburanti, në krahun e majtë të avionit.

Sakaq, paketat e baterive litium-jon përforcuan mbështetjen gjatë ngritjes teksa rezervuarët e hidrogjenit dhe sistemet e prodhimit të energjisë me qeliza karburanti u vendosën brenda kabinës, me ndenjëset e hequra.

Gjysma e energjisë mundësohej nga qelizat e karburantit dhe gjysma nga paketat e baterive.

Kurse krahu i djathtë mbante një motor të rregullt, për arsye sigurie edhe pse nuk u përdor gjatë fluturimit.

Për një fluturim komercial, rezervuarët e hidrogjenit dhe sistemet e prodhimit të energjisë me qeliza të karburantit do të vendosen në pjesën e jashtme të avionit.

Tani, kompania synon të finalizojë konfigurimin dhe ta dorëzojë atë për certifikim deri në fund të vitit.

Fluturimi i ZeroAvia është pjesë e projektit HyFlyer II të mbështetur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, i cili synon të zhvillojë një motor 600 kW për të lejuar fluturimin me emetim zero për aeroplanët  nëntë deri në 19 vendesh dhe synon një rreze prej 300 milje detare.

Kompania numëron 1 mijë e 500 porosi paraprake për variante të ndryshme motorësh, sipas themeluesit të saj Val Miftakhov.

Dhe deri në 700 prej tyre janë për madhësinë e motorit që u provua në Mbretërinë e Bashkuar të enjten.

“Ne e dimë se tregu është atje për të, tani është e gjitha për ta shtyrë në dizajnin përfundimtar”, ka shtuar ai.

Kompania synon të shërbejë fluturime komerciale me këtë teknologji deri në vitin 2025. Po ashtu synon të rrisë teknologjinë në avionë më të mëdhenj me 90 vende.

Deri në vitin 2027, ata synojnë të jenë në gjendje të fuqizojnë një fluturim 700 milje në një avion 40-80 vendesh.

Por kjo nuk është një detyrë e thjeshtë.

Ndërsa avionët me energji hidrogjeni kanë qenë në zhvillim që nga mesi i shekullit të XX-të, ata janë përballur me pengesa të rëndësishme, kryesisht densitetin e ulët të energjisë së hidrogjenit për nga vëllimi.

Infrastruktura e nevojshme për prodhimin dhe shpërndarjen e hidrogjenit është gjithashtu një problem.

Dornier 228 i ZeroAvia do të kryejë një seri fluturimesh testuese përpara se të kalojë në fluturime demonstruese nga aeroportet e tjera.

“Ky është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për ZeroAvia, por për industrinë e aviacionit në tërësi, pasi tregon se fluturimi i vërtetë tregtar me emetim zero është vetëm disa vite larg”, ka dalluar Miftakhov.

Industria me rritje përbën 2.1 për qind të emetimeve të karbonit të prodhuar nga njeriu në mbarë botën dhe 3.5 për qind të emetimeve të ngrohjes së planetit në total.

“Sot ne kemi qenë dëshmitarë të një hapi të madh drejt arritjes së këtij qëllimi të dekarbonizimit. Ka ende një rrugë për të bërë, por le të festojmë arritjen”, ka theksuar ai.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore