Pilotët e një avioni Boeing 777-300ER të Air France kanë humbur kontrollin për disa sekonda teksa po përgatiteshin të uleshin në aeroportin e Parisit, Charles de Gaulle.
Për këtë, atyre iu desh të anulonin procedurën e zbritjes, të shkonin rreth ndalesës dhe të uleshin më vonë.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Bea, zyra franceze për hetime dhe analiza mbi sigurinë e aviacionit civil.
Avioni në fjalë kishte qenë në shërbim për 17 vjet.
Nga ana tjetër, mbetet e paqartë se sa pasagjerë kanë qenë në bord dhe kompania nuk e ka bërë të qartë këtë.
Teksa avioni i afrohej aeroportit të Parisit, pilotët kanë hasur probleme me menaxhimin e tij.
Një zëdhënës i Bea-s ka sqaruar se ekspertët po analizojnë të dhënat në dy kutitë e zeza të avionit. Njëra regjistron audion e kabinës, tjetra ruan të gjithë parametrat e fluturimit.
Poe ende është herët për të kuptuar nëse do të hapet një hetim për incidentin.
“Air France konfirmon se stafi i fluturimit AF11 duhej të anulonte uljen, të bënte një xhiro për një problem teknik gjatë zbritjes”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë.
“Ekuipazhi e trajtoi situatën dhe e uli avionin normalisht pas një tentative të dytë”, ka treguar.
Dhe kompanisë “i vjen keq për shqetësimin e shkaktuar ndaj udhëtarëve”.
Sakaq, ka kujtuar se “ekuipazhet janë të trajnuara dhe udhëzuara rregullisht për këto procedura, të cilat përdoren nga të gjitha linjat ajrore për të garantuar sigurinë e fluturimeve dhe pasagjerëve”.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com