Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka deklaruar se do të ndërmarrë një hetim administrativ pas publikimit të listës me numrat e telefonit të 3 milionë shqiptarëve.
Insitucioni shqiptar ka kërkuar bashkëpunim nga çdo institucion përgjegjës për këtë hetim.
Numrat e telefonit së bashku me emrat e përdoruesve të këtyre numrave, janë reklamuar në një faqe interneti për t’u shitur.
Poseduesit e këtij e listës shkruajnë edhe për çmimet e shitjes së numrave, ndërsa përdorimi i tyre bëhet për fushata marketingu të ndryshme.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është autoriteti mbikëqyrës i legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Përmes një deklarate zyrtare, institucioni shtoi se po vlerëson me seriozitet çdo rast të shkeljes së kësaj të drejte dhe lirie themelore të njeriut.
“Zyra e Komisionerit është vënë në dijeni nga informacionet e publikuara në media, për shitjen në internet të një baze të dhënash në përmbajtje të të cilës ka gjeneralitete, numra telefoni dhe vendin e punës për 3 milionë qytetarë”, shkruhet në njoftimin zyrtar.
Komisioneri u bëri thirrje dhe mediave që të tregohen të vetëdijshme për detyrimin e respektimit të kësaj të drejte individuale.
Ushtrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar dhe në çdo rast, realizohet në mënyrë të balancuar dhe proporcionale me të drejtat dhe liritë e tjera themelore të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, nënvizoi më tej komisioneri.
Opinioni publik, sipas reagimit të institucionit, duhet të tregojë kujdes të shtuar dhe të jetë i ndërgjegjësuar për të refuzuar përfshirjen në përdorimin ose përhapjen e paligjshme të kësaj baze të dhënash.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com