8.3 milionë turistë në nëntë muajt e parë të vitit, ose 1,9 milionë vizitorë të huaj më shumë se e njëjta periudhë nga viti i kaluar.
Ishte ky triumfi i shifrave që diktoi bilancin e sezonit turistik veror nga autoritetet shqiptare.
Në praninë e kryebashkiakëve të vendit, qeveria e përfaqësuar nga katër anëtarë të kabinetit lëvdoi këto shifra rekord, por duke menduar për sezonin e ardhshëm veror 2024.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u bëri thirrje të gjithë aktorëve publikë dhe privatë që të mobilizohen për sezonin e ardhshëm turistik.
“Faktikisht, bumi turistik i këtij viti, përtej të gjithë efekteve të jashtëzakonshme pozitive na vuri përpara sfida të mprehta që ne duhet të fillojmë t’i adresojmë menjëherë. Nga ana tjetër duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe këtu kam parasysh të gjithë nivelet e qeverisjes por edhe sektorin e sipërmarrjes në turizëm se rreziku që gjithë ky ‘nam i madh’ dhe i mirë kudo në botë i këtij viti të kthehet në ‘boomerang’ në vitin në vijim apo në dy-tre vitet në vijim është real”, argumentoi kreu i Qeverisë.
Sipas tij, autoritetet do duhet të jenë të përgatitura pasi vitin tjetër, interesi do të sjellë shumë më tepër kërkesë.
“Them ‘boomerang’ nëse ne nuk do të jemi të përgatitur për të përballuar një kërkesë që padiskutim do të jetë më e madhe vitin e ardhshëm sepse impakti i gjithë këtij pasqyrimi global mediatik të kësaj surprize të quajtur Shqipëri këtë vit do të rrisë interesin dhe do të sjellë shumë më tepër kërkesë vitin e ardhshëm”, theksoi Rama.
Zëvendës kryeministrja e Shqipërisë dhe ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku i bëri bujë shifrave të hyrjeve në nëntë muajt e parë të vitit nga Aeroporti i Rinasit.
“Duhet thënë që vetëm në nëntë muajt e parë të vitit nga Aeroporti i Rinasit kemi pasur një hyrje prej 5.4 milionë pasagjerësh. Të gjitha këto shifra që ne referojmë herë pas here duhet të keni parasysh që minimalisht i përkasin provizioneve të vitit 2027. Ne sot po punojmë dhe po elaborojmë shifra të cilat ishim përgatitur për t’i pasur mbas katër vitesh”, theksoi fillimisht numri dy i Qeverisë gjatë bilancit të sezonit turistik veror.
Sipas saj, kjo shifër tregon se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një vepër e domosdoshme.
“Ky numër 5.4 milionë pasagjerë është një tregues i qartë që Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës nuk është thjesht një vepër e rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, por është një vepër e domosdoshme”, ravijëzoi Balluku.
Ky fluks pasagjerësh ka tejkaluar edhe rekordin e vendosur përgjatë vitit 2022.
Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla, deklaroi gjatë bilancit të sezonit turistik veror se do të krijohet një strukturë brenda Policisë së Shtetit për sigurinë publike gjatë sezonit turistik.
“Prandaj, dua ta njoftoj sot që po krijojmë një forcë kombëtare të sigurisë publike brenda Policisë së Shtetit, e cila do të jetë e gatshme dhe me kapacitete të mjaftueshme për përballimin e nevojave dhe pritshmërive të Shqipërisë turistike 10 milionë plus”, theksoi fillimisht zyrtari shqiptar.
Ai sqaroi se kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë praninë dhe efikasitetin e Policisë në të gjithë territorin.
“Kjo strukturë e re brenda Policisë së Shtetit do të rrisë praninë dhe efikasitetin e Policisë në të gjithë territorin me një fokus të veçantë te pjesa që lidhet me mbarëvajtjen e sezonit turistik 2024”, ravijëzoi Balla.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri me dije po ashtu se po rishikohet ligji aktual për turizmin dhe se projektligji është hedhur për konsultim publik.
Zyrtarja shqiptare njoftoi se po hartohet edhe strategjia e re të turizmit 2024-2030, që do jetë gati brenda këtij viti.
“Kemi tre kantiere të rëndësishme, rishikimi ligjit aktual. Ky projektligj është hedhur për konsultim publik, Duhet të nxisim mbështesim sektorin privat, por të garantojmë konkurrencë të ndershme”, ka thënë ajo.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore