Ministrja e Jashtme Australiane Penny Wong tha të shtunën se rasti i themeluesit të burgosur të Wikileaks, Julian Assange “është zvarritur për një kohë të gjatë” dhe duhet të zgjidhet.
Assange, një shtetas australian në paraburgim në Mbretërinë e Bashkuar, po lufton ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, të cilat po kërkojnë ekstradimin e tij për 18 akuza që lidhen me lëshimin e dosjeve të klasifikuara ushtarake amerikane dhe kabllogrameve diplomatike në vitin 2010.
Në një konferencë shtypi në Brisbane, pas një samiti me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, Wong theksoi se Canberra zyrtare e bëri të qartë se “çështja e zotit Assange është zvarritur për një kohë të gjatë dhe kjo është dëshira jonë që të mbyllet”.
Zyrtarja australiane tha se kishte kufizime në atë që mund të bëhej derisa të përfundonin procedurat ligjore të Assange.
“Jam në dijeni se zoti Assange ka aplikuar për të rinovuar ankesën në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria australiane nuk është palë në këtë proces ligjor dhe ne nuk mund të ndërhyjmë”, tha ajo.
Blinken konfirmoi se rasti i Assange ishte objekt i bisedimeve dypalëshe, duke vënë në dukje se ai i kuptonte pikëpamjet e australianëve për çështjen e ndjeshme.
“Z. Assange është akuzuar për sjellje shumë të rënda kriminale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me rolin e tij të dyshuar në një nga shkeljet më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë e vendit tonë”, tha Blinken në një konferencë shtypi. “Veprimet për të cilat ai dyshohet se është përgjegjës mund të përfaqësojnë dëme shumë serioze për sigurinë tonë kombëtare”.
Australia mbështet përpjekjet për lirimin e Assange përpara ekstradimit të tij të mundshëm në SHBA, tha në maj kryeministri australian Antony Albanese, duke shtuar se ai ishte “i frustruar” nga ndalimi i Assange.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com