Sport

ATP kritikon, ndërsa AELTC tregon arsyen e ndalesës së tenistëve rusë dhe bjellorusë në Wimbeldon


Tenistët rusë dhe bjellorusë nuk do të lejohen të garojnë në turneun më prestigjioz të tenisit, “Wimbeldon”, për shkak të pushtimit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ndër tjerash, numri dy i botës për meshkuj, Daniil Medvedev i Rusisë dhe tenistja numër katër në botë, Aryna Sabalenka nga Bjellorusia, nuk do të jenë pjesë e turneut i cili fillon në muajin qershor.

Organi drejtues i tenisit për meshkuj (ATP) tha se masa ishte “e padrejtë” dhe mund “të vendosë një precedent të dëmshëm për lojën”.

Në një deklaratë ATP tha: “Diskriminimi i bazuar në kombësi përbën gjithashtu një shkelje të marrëveshjes sonë me Wimbledon-in që thotë se pjesëmarrja e lojtarëve bazohet vetëm në renditjen e ATP-së”.

“Çdo lloj veprimi kundër këtij vendimi tani do të vlerësohet në konsultim me bordin tonë dhe anëtarët e këshillit”, thuhet më tej në deklaratën e ATP-së.

Duke shpjeguar vendimin e tyre, Klubi i Tenisit në të gjithë Anglinë (AELTC) tha se ishte përgjegjësi e tyre që të “kufizonin ndikimin global të Rusisë me mjetet më të forta të mundshme”.

“Në rrethanat e një agresioni ushtarak të tillë, i cili është i pajustifikuar dhe të paprecedentë, do të ishte e papranueshme për regjimin rus që të përfitonte nga përfshirja e lojtarëve rusë ose bjellorusë në Wimbeldon”.

“Prandaj qëllimi ynë është që të refuzojmë pjesëmarrjen e rusëve dhe bjellorusëve në këtë turne” , thuhet në deklaratën e AELTC.

Tenistja bjelloruse, Aryna Sabalenka, arriti në gjysmëfinale të turneut të Wimbeldon-it në vitin e kaluar, ndërsa numri dy i botës, Daniil Medvedev shkoi deri në raundin e katërt.

Tenistja numër 15 në botë, rusja, Anastasia Pavlyuchenkova – e cila bëri thirrje që lufta të ndalet në fillim të këtij viti dhe Victoria Azarenka e Bjellorusisë e renditur e 18-ta gjithashtu do ta humbasin këtë turne.

Gjithashtu edhe numri tetë i botës, Andrey Rublev i Rusisë, së bashku me numrin 26, bashkatdhetarin Karen Khachanov, nuk do të jenë pjesë e ngjarjes së madhe.

Derisa, vetëm lojtarëve u është ndaluar që të marrin pjesë, që do të thotë se trajnerët, arbitrat dhe fizioterapistët mund të përfshihen në turne.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore