Kosova

Asnjë projekt i madh rrugor s’ka përfunduar në qeverisjen Kurti – “dyshime të mëdha për korrupsion”


Foto: Albanian Post

Asnjë nga rrugët kryesore të Kosovës që e lidhin kryeqytetin me qytetet tjera të mëdha të Kosovës – Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjakovë, nuk janë përfunduar dhe nuk janë as afër të përfundojnë në këtë mandat qeverisës, përkundër se të gjitha veçse ishin të nisura si projekte nga qeveritë paraprake.

Një nga pikat kyçe në programin e qeverisë (Albin) Kurti 2, ishte përfundimi i rrugëve magjistrale të papërfunduara më herët.

Madje, për rrugët Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Podujevë kishte premtime që do të përfundonin brenda një viti.

Edhe kontrata e re, e nënshkruar me 29 korrik, mes Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Fondit Saudit për Zhvillim, në vlerë prej 15 milionë euro, po synon ndërtimin e vetëm një segmenti të rrugës Prishtinë – Mitrovicë.

Mungesa e investimeve të duhura në infrastrukturë për më shumë se tri vjet, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si janë menaxhuar fondet publike për projekte të tilla që vlerësohen jetike.

Ferat Shala, tash deputet i PDK-së, dikur ministër i Infrastrukturës (2016), në një bisedë për Albanian Post konfirmon se asnjë investim rrugor s’ka përfunduar në këtë qeverisje.

Shala thekson se për shkak të mungesës së investimeve kanë lindur dyshime për korrupsion ndërsa nënshkrimi i kontratave në fund të mandatit, sipas tij po bëhet më shumë për çështje elektorale.

“Me nënshkrimin e kontratave në fund të mandatit, Qeveria realisht po tregon mossukseset e saj. Katër vjet qeverisje asnjë projekt infrastrukturor s’ka përfunduar, asnjë rrugë s’ka përfunduar edhe pse kanë qenë të filluar”.

Rruga Prishtinë – Podujevë.

“Sot rrugët regjionale janë ashtu siç kanë qenë, edhe ajo për Gjakovë, edhe kjo për Pejë edhe rruga për Besianë gjegjësisht Podujevë edhe rruga për Mitrovicë edhe autostrada për Gjilan”, thotë Shala që udhëheqë edhe komisionin për Ekonomi në Parlamentin e Kosovës.

“Të gjitha janë në nivelin më të rëndë të mundshëm në një shkallë dhe dinamikë jashtëzakonisht të ulët të punëve apo me segmente të caktuar duke bërë një punë joefektive dhe jo të mirë. Ajo çfarë bie në sy është se dinamika dhe realizimi i këtyre projekteve nuk pritet të përfundoj këtë vit”.

Si Shala, ngjashëm deklarohet edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.

Ai në një përgjigje për Albanian Post deklaron se infrastruktura vazhdon të jetë në një gjendje të pavolitshme.

“Për faktin që kemi projekte strategjike të cilat kanë filluar që 15 vjet dhe nuk kanë përfunduar e dëshmon më së miri situatën e krijuar në Kosovë, situatë e cila sot po e dëmton ekonominë, po i dëmton qytetarët e diasporën në këtë drejtim vetë fakti që në vitin 2024 kemi një shpenzim minor të buxhetit për projekte kapitale në nivel qendror është mjerimi më i madh”.

Autostrada Prishtinë-Mitrovicë.

Dobët me shpenzimin e buxhetit qëndrojnë edhe komunat.

“Vetë fakti që janë vetëm 76 milionë euro të shfrytëzuara në nivelin lokal e dëshmon më të vërtetë se sa larg jemi drejt implementimit dhe realizimit të projekteve strategjike”.

Sipas Gërxhaliut, çdo veprim në këtë drejtim tashmë është i vonuar pasi që Kosova veçse ka dështuar.

“Në këtë drejtim konsideroj që jemi të vonuar dhe në këto projekte po dështon Kosova – duke prishur imazhin e saj. Kompanitë s’po arrijnë që me kualitet dhe me kohë të caktuar të realizojnë projektet e caktuara që i kanë marrë qoftë me meritë apo qoftë nga partitë politike”.

Për pesë projekte të mëdha që ishin zvarritur gjatë gjithë kohës, Qeveria Kurti kishte ndarë në vitin 2023, 70 milionë euro.

Ndërsa, për vitin 2024 e njëjta qeverisje kishte ndarë buxhetin më të madh për këtë vit prej 3.3 miliardë euro – me qëllim që të përmirësohet infrastruktura.

Për mospërfundimin e projekteve nga qeverisja Kurti vazhdimisht janë akuzuar pushtetet e kaluara për keqpërdorim të buxhetit që i dedikohej këtyre investimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore