Kosova

Askush s’e ka të qartë propozimin e KE-së për njohjen e pasaportave ilegale serbe


Ilustrim

Propozimi i Komisionit Evropian për përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në liberalizimin e vizave për Kosovën, ka krijuar një situatë shumë të paqartë dhe sëkëndejmi, pakënaqësi në Kosovë, posaçërisht në kohën kur është rritur interesimi i serbëve të Kosovës për të marrë pasaporta kosovare.

Në pasaportat e lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime të Serbisë dhe rrjedhimisht, njohja e këtyre pasaportave nga Bashkimi Evropian (BE) do të legjitimonte pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Prandaj, nuk është e qartë se çfarë kanë menduar spozsorizuesit e këtij legjislacioni që pritet të hyjë në fuqi.

Në këtë drejtim, redaksia e Albanian Post ka kontaktuar me disa ekspertë të politikave të BE-së, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë i sigurt se çfarë saktësisht do të nënkuptojë propozimi i ri i Komisionit Evropian për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave ilegale të serbëve të Kosovës.

As raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, nuk ka arritur të zbulojë çfarë fshihet pas propozimit të ri të Komisionit Evropian në raport me qëndrimin neutral të BE-së ndaj statusit të Kosovës, ndonëse vetë Komisioni Evropian në prill të këtij viti kishte theksuar se liberalizimi i vizave vlen vetëm për poseduesit e pasaportave të Kosovës.

Viola von Cramon

E pyetur nga Albanian Post nëse propozimi i KE-së mund të nënkuptojë një arsye për të “legalizuar” pasaportat paralele për serbët e Kosovës, njëfarë njohje të pretendimeve të Serbisë, ajo ka thënë vetëm se BE-ja është e interesuar që t’ua mundësojë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim, mundësinë e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.

“Çështja e pasaportave të lëshuara nga Zyra Koordinuese e Serbisë është lënë jashtë rregullores për liberalizimin e vizave për Kosovën në kuptimin që serbët e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës që posedojnë këto pasaporta duhet të kenë të drejtë dhe mund të aplikojnë e të marrin pasaportën kosovare”, ka thënë Von Cramon të mërkurën.

Vendimi i BE-së në prill të këtij viti është konsideruar një moment historik dhe shumë i rëndësishëm për integrimet evropiane të Kosovës, por miratimi i një propozimi të tillë mund të vendosë në rrezik gjithë zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Megjithatë, një nga avokueset kryesore të liberalizimit të vizave për Kosovën nuk sheh ndonjë rrezik.

“Dëshiroj të nënvizoj edhe një herë se regjimi pa viza nënvizon përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, lirinë e lëvizjes dhe promovon një vizion të përbashkët për një të ardhme paqësore dhe prosperuese për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe rajonin përreth”, ka shtuar ndër të tjera eurodeputetja gjermane.

Qeveria e Kosovës ka thënë se Komisioni Evropian nuk e ka konsultuar dhe informuar në lidhje me propozimin për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë të cilët jetojnë në Kosovë, duke e konsideruar “shkelje të papranueshme të sovranitetit”, ndërsa i ka bërë thirrje BE-së që pasaportat serbe t’i trajtojë si të paligjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore