Jetesë & Stil

Arrestohet një person, e kërcënoi me vdekje këngëtaren Lana Del Rey


Një 40-vjeç kanadez është arrestuar pasi bëri një sërë kërcënimesh me vdekje ndaj këngëtares, Lana Del Rey.

Denys Mallet, i cili është nga New Brunswick, u paraqit në gjykatë më 14 korrik, derisa seanca e tij gjyqësore u zhvillua një ditë përpara se Del Rey të performonte në “Plains of Abraham” gjatë Festivalit të Quebec-it.

Një zëdhënës i policisë së qytetit të Quebec-it, ka konfirmuar se ata kanë marrë një ankesë më 29 qershor, e cila rezultoi me hapjen e një hetimi, shkruan FarOutMagazine, transmeton AlbanianPost.

Në aktakuzë thuhet se Mallet “me vetëdije ka bërë kërcënime për t’i shkaktuar vdekje ose lëndim trupor L.D.R. në Quebec City dhe zona të tjera të Kanadasë midis 1 janarit të vitit 2022 dhe 6 korrikut të vitit 2023”.

Policia lokale nuk pranoi ta lirojë Malletin më 14 korrik dhe vendosi ta mbajë në paraburgim për një të afat të pacaktuar kohor.

Ai do të kthehet në gjykatë për një seancë dëgjimore me kusht në një datë të mëvonshme.

Ndërkohë, Del Rey së fundmi zbuloi se kishte menduar të linte industrinë e muzikës në kulmin e famës së saj.

“Nuk kisha zgjidhje tjetër veç të vazhdoja, sepse nuk di të bëj asgjë tjetër. Guximi do të ishte zhdukja. Por, meqë isha tashmë e famshme, e mora me lehtësi. Vazhdova të bëja regjistrime. Nuk kishte plane B”, kishte thënë ajo.

Përndryshe, Elizabeth Woolridge Grant e njohur profesionalisht si Lana Del Rey, është një këngëtare dhe kantautore amerikane. Muzika e saj shquhet për cilësinë e saj kinematografike dhe eksplorimin e romancës tragjike, magjepsjes dhe melankolisë, me referenca të shpeshta ndaj kulturës pop bashkëkohore dhe amerikanëve të viteve 1950-1970.

Revista, Rolling Stone e vendosi Del Rey-n në listën e tyre të 200 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe gjithashtu Rolling Stone UK e quajti atë “kantautorja më e madhe amerikane e shekullit të 21-të”.

Revista Time e emëroi Del Rey si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë në vitin 2012.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore