Shqipëria

Zjarrvënia e qëllimshme, vijojnë arrestimet e autorëve


Mëngjesin e 19 gushtit ka rënë në prangat e policisë një 28-vjeçar, pasi dogji një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi, në Levan, Gjirokastër.

Në vijim të punës për vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit Sefer Rrapai.

Rrapai dyshohet se ka vendosur zjarr në pyllin e fshatit Levan dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.

Një tjetër shtetase është arrestuar në Has, Kukës. Përkatësisht bëhet me dije se Sh. Sinani, 57 vjeçe, dyshohet se ka vënë zjarr në pyllin në afërsi të banesës së saj.

Për pasojë është zjarri është përhapur duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pylli me lis dhe shkurre në Pistë.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë dy shtetas të mitur J.R., dhe B.R., banues në fshatin Golaj.

Ata ndezën zjarr dhe si pasojë e erës së fortë zjarri u ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë dhe djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me lis dhe shkurre.

Të miturit do të procedohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Po ashtu edhe në Dibër pas identifikimit po procedohet penalisht shtetasi E. R., banues në Maqellarë, pasi dyshohet se në fshatin Kovashicë, ka ndezur zjarr e si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me barishte.

Materialet i kanë kaluar Prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme.

Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona si shkaktarë të zjarreve që kapluan pyjet në Shqipëri javët e fundit. Ndërkohë vijon apeli i policisë për të denoncuar çdo rast krimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore