Kampionate

Arrestimet për trukim ndeshjesh, reagon FBK: Mirëpresim vendimin e Policisë


Daut Mehmeti (qender), gjyqtar i FIBA

Këtë të premte, Policia e Kosovës ka arrestuar gjyqtarin e FIBA, Daut Mehmeti dhe trajnerin Arbnor Rifati pas një aksioni të zhvilluar në qytetin e Prizrenit. Të dy të arrestuarit janë akuzuar për trukim ndeshjes në basketbollin kosovar.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), e cila shprehet se “është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet dhe organet e rendit lidhur me arrestimet e fundit”.

FBK pohon se “kemi raportuar menjëherë pranë Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit rastin sapo na është bërë i ditur”.

“Kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të bashkëpunuar me organet e rendit që nga viti i kaluar si dhe i kemi marrë masat e duhura për të iniciuar dhe zhvilluar procedurat e brendshme disiplinore ndaj personave të përfshirë”.

“FBK mirëpret vendimet e organeve të rendit dhe shpresojmë në zgjidhje të shpejtë të rastit dhe sjelljen para drejtësisë së të gjithë personave të përfshirë në fenomene negative në sportin tone”.

“Siç e ka dëshmuar në çdo instancë, Federata e Basketbollit e Kosovës do të luftojë me ngulm dhe vendosmëri çdo dukuri negative në sportin tonë, duke u angazhuar si përherë në garantimin e integritetit të garave tona”.

“Ne zotohemi për lojë të ndershme dhe do të luftojmë këto dukuri deri në fund”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e lëshuar nga organi drejtues i basketbollit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore