Lajme

Arkitekti Marco Casamonti: Duhet të njohim vendet për të kuptuar thelbin dhe identitetin e tyre


“Austriaku Adolf Loss ka thënë se arkitekti është një murator që flet latinisht dhe mua më pëlqen shumë ana modeste e punës sime, si të shkoj në kantiere për shembull”.

Kështu është shprehur Marco Casamonti, arkitekti që ka projektuar Stadiumin Air Albania në Tiranë.

“Stadiumi që projektova në Tiranë, përmban modele tipike grafike shqiptare të stampuara në 3 mijë e 200 kolonat e aluminit që e mbulojnë atë. Gjithmonë ka diçka që lidhet me kulturën vendase në projektet e mia. Nuk dua të jem kolonizator”, ka rrëfyer ai në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.

Ai është profesor i kompozicionit arkitektonik dhe urban në Universitetin e Genovas, themelues i Archea associati në vitin 1988, i cili tani është drejtor kreativ, më pas themelues dhe partner i Marco Casamonti & Partners.

Intervista e plotë:

Filluat të punoni me Paolo Portoghesi, teoricienin e madh të Postmodernizmit, si e kujtoni atë?

“Kam filluar të punoj me të kur isha i ri dhe bashkë-redaktuam revistën Materia. Ai ishte një historian i madh i arkitekturës dhe arkitekt. Ai kishte një ide të qartë, domethënë se ata që bëjnë punën tonë duhet të dinë të njohin vendet për të kuptuar thelbin dhe identitetin e tyre”.

Në cilën pikë janë rrymat e arkitekturës sot?

“Nuk ka më moderne apo postmoderne. Jemi në një botë të gjuhëve globale, nuk është koha për beteja estetike, por etike. Fuksas ka thënë pikërisht këtë në Bienalen e vitit 2001: më pak estetikë, më shumë etikë”.

Çfarë do të thotë më shumë etikë në arkitekturë?

“Ndërtimi i ndërtesave që i shërbejnë jetës së njerëzve dhe jo lartësimit të imazhit të arkitektit. Për këtë arkitekt është një term që nuk më ka pëlqyer kurrë”.

Cilët janë protagonistët e rinj?

“Arkitektë si Wang Shu, i cili punon mbi traditat lokale dhe jo mbi egon e tij, dhe fitoi Çmimin e Parë në vitit 2012”.

Projektet tuaja duken paksa racionaliste, apo jo?

“Nëse kjo do të thotë thjeshtësi dhe gjuhë bashkëkohore, po. Stadiumi që projektova në Tiranë, për shembull, përmban modele tipike grafike shqiptare të stampuara në 3 mijë e 200 kolonat e aluminit që e mbulojnë atë. Gjithmonë ka diçka që lidhet me kulturën vendase në projektet e mia. Nuk dua të jem kolonizator”.

Për çfarë po punon tani?

“Kam dy projekte shumë të rëndësishme: Muzeun e Artit Bashkëkohor të Tbilisi në Gjeorgji dhe Teatrin Urban të Almaty në Kazakistan. Më pas ndjek punë të tjera në Vietnam, Brazil dhe Meksikë”.

A ju vjen ndonjëherë një kërkesë për një apartament të thjeshtë?

“Sigurisht, siç ka thënë Rem Koolhaas në librin S, M, L, XL, puna e arkitektit është e pavarur nga shkalla. Duhet të dish të përshtatesh”.

Propozimi më i çuditshëm?

“Një urë në një ishull në Vietnam, e cila në fakt nuk ishte e nevojshme sepse duhej të lidhte dy pika të një gjiri. Kështu me studion time propozova një zgjidhje ku nuk kaloni, por arrini 30 cm nga ana tjetër, mund të putheni ose të shkëmbeni një shenjë paqeje”.

Për cilin projekt jeni më krenar?

“Muzeu i Qeramikës në Liling në Kinë dhe Veraria Antinori në Chianti. Projekte që ndryshuan jetën time sepse u bënë të famshëm dhe më bënë të shkoja nëpër botë. E para rishpik një vend natyror me ndërtesa në formë vazo: një transpozim arkitektonik i kodrave dhe motivi muzeor. Në Chianti, natyra dhe arkitektura integrohen, materiali është çeliku, por e gjithë ndërtesa është e mbuluar me vreshta”.

Një punë që do të kishit dashur të bënit?

“Do të kisha dashur të punoja në stadiumin e Firences, por do ta ndërtonte një studio angleze, por bëra Viola Park, një qendër sportive ku hyn arkitektura dhe ku luajnë bashkë fëmijët deri në ekipin e parë djem e vajza”.

Cilët janë arkitektët e rinj në zhvillim?

“Ka firma të mahnitshme kineze si Standard ose Vector. Brenda 20 vjetësh ata ndërtuan Kinën pas studimeve jashtë vendit. Në Itali e admiroj studion Mdu në Prato. Në Vietnam më pëlqen Vo Trong Nghia, i cili projektoi pavijonin Milan Expo për vendin e tij dhe me të cilin do të doja të bashkëpunoja”.

Pse punoni kaq shumë jashtë vendit?

“E nisa në fillim të viteve 2000 duke fituar konkursin për një kullë në Tiranë, pra duke marrë pjesë në tenderë kur këtu nuk kishte punë. Më pas filluan të më kërkonin dhe takova shumë njerëz që ishin të apasionuar pas stilit tim”.

A ndihmon të kesh një nënshkrim italian?

“Shumë, veçanërisht nëse jeni nga Firence. Njeriu bëhet menjëherë një trashëgimtar i padenjë i mjeshtrave të mëdhenj të Rilindjes”.

Cili është këndi juaj i preferuar i Firences?

“Piazza della Signoria sepse në fillim të shekullit të XVI-të Michelangelo, Raphael dhe Leonardo ishin atje. Ëndrra ime do të ishte të vizitoja dyqanet e tyre. Unë kam dy pasione të mëdha të brendshme: Filippo Brunelleschi, inxhinier, arkitekt, shpikës, ndërtues, njeri i kantierit, nga San Lorenzo në Santo Spirito, deri në kupolën e Santa Maria del Fiore. Me rregullat e tij të perspektivës ai ndryshoi artin botëror”.

“Pastaj artisti suprem për të cilin mendoj çdo natë kur shkoj në shtrat është Michelangelo, biografinë e të cilit e mbaj në komodinën time”.

Studio juaj është edhe në Milano, Genova dhe Romë, cilat janë qytetet tuaja të tjera përveç Firences?

“Do të thosha mbi të gjitha Milano dhe Genova. Më pëlqen shumë edhe Napoli, nga i cili drejtova Annals of Architecture. Kam jetuar edhe në Milano, një qytet multidisiplinar dhe shumëdimensional, megjithëse preferoj Firencen sepse mund të ecësh kudo”.

“Në Milano lejohet të ndërtohen apartamente 28 metra katrorë, në Firence minimalisht 50. Dallimi është i gjithë këtu. Nëse Milano dëshiron të vazhdojë të tërheqë të rinj dhe banorë të rastësishëm, duhet të ndryshojë”.

Shumë kryeqytete duket se e vuajnë Milanon, a është kështu?

“Ata duhet të punojnë për të rritur veçoritë e tyre. Për shembull, është e qartë se Milano fiton ndaj Bolonjës në nivel të panairit, por kjo e fundit mund të fokusohet në disa specifika nga ushqimi te motorët. Genova investon në port dhe logjistikë. Torino në hapësirën ajrore, automobilistikë, art dhe afërsi me malet”.

A do të zbrazen qytetet e vogla provinciale?

“Jo për aq kohë sa ata ruajnë identitetin e tyre. Pandemia na ka bërë të kuptojmë se cilësia e jetës ka të bëjë me atë të jetesës. Nëse infrastruktura fizike dhe digjitale janë të fuqishme, ju mund të jetoni edhe në një fshat. Unë po rikuperoj një, Castelnuovo në Avane (Arezzo), të blerë nga Komuna e Cavriglia e cila me një tender po përpiqet ta kthejë në jetë”.

A u mungon qyteteve planifikimi urban?

“Varet se cili. Urbanistika moderne ka bërë dëme duke i ndarë qytetet në rrethe qendrore, tregtare, punuese dhe industriale, më pas u zbulua trafiku dhe smogu. Qyteti ideal është ai 15 minuta më këmbë nga çdo shërbim. Planifikimi urban i së shkuarës projektoi planimetritë e rrugëve dhe njohu dobinë e shesheve. Ne duhet t’i kthehemi shqyrtimit të cilësisë së hapësirës si dhe sasisë”.

Si mund ta thjeshtojmë kohën e punimeve publike?

“Jam i dekurajuar, mosha mesatare e punëve publike në Itali është 15-vjeçare. Jemi efikas vetëm në emergjenca, si për Urën e Morandit, sepse jemi vendi i vetos së kryqëzuar. Vendimmarrësit në proceset e ndërtimit duhet të punojnë së bashku dhe me një vizion të vetëm”.

Si funksionon në Kinë?

“Atje mund të vendosni menjëherë. Është ana pozitive e një jo demokracie. Kinezët duan të rriten shpejt dhe kjo ndonjëherë i bën ata të gabojnë. Fillimisht ata kishin nevojë për ne, ndërsa tani është një marrëdhënie e barabartë. Nga ana tjetër, në shekullin e XVI-të një arkitekt duhej të ishte në Firence, sot në Azi. Dhe për këtë ndihem si cigan”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore