Argjentina bëhet kombëtarja e dytë nga Amerika Jugore, (pas Brazilit) e cila ka siguruar kualifikimin në Kupën e botës.
Ky kualifikim erdhi pas barazimit pa gola, mes klasikes së futbollit amerikano-jugor, të zhvilluar mëngjesin e së mërkurës pikërisht nga këto dy kombëtare.
Sa i përket ndeshjes, ishte një takim në përgjithësi i mbyllur dhe me pak raste shënimi nga të dyja skuadrat.
Kështu Argjentina pozicionohet në vendin e dytë, me 29 pikë të grumbulluara, ndërsa Brazili tani ka blinduar vendin e parë, me 35 pikë.
Përveç kësaj sfide, pa gola është mbyllur edhe dueli tjetër i këtij grupi, mes Kolumbisë dhe Paraguait.
Ky barazim nuk i konvenon aspak Kolumbisë, pasi që mbeten në një konkurrencë të egër për të siguruar një kualifikim tutje për në Katar.
Kolumbia pozicionohet në vendin e katërt me 17 pikë të grumbulluara, derisa pas saj gjenden Peruja me 17, Kili dhe Uruguai me nga 16 dhe Bolivia ka 15 pikë.
Zhgënjen ndërkohë Kili, që pësoi humbje 0:2 në shtëpi ndaj Ekuadorit dhe komplikoi edhe më shumë rrugëtimin drejt Katarit.
Mesfushori veteran Arturo Vidal la të tijtë me 10 futbollistë që në minutat e para, për shkak të një ndërhyrjeje të rëndë, ndërsa më pas u largua i dëmtuar edhe Alexis Sanchez, i cili luajti vetëm 35 minuta.
Ndërkohë, kombëtarja e Uruguait gjendet në një krizë totale, që po rrezikojnë seriozisht pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Kampioni i dyfishtë i botës zhgënjyen përsëri, teksa u mposhtën nga Bolivia me rezultat të thellë 3:0, humbje kjo që e zbrit Uruguain në vendin e shtatë, me 16 pikë.
Pa Cavani-n dhe me Suarez-in në bankën rezervë, Uruguai e pati të vështirë përballë Bolivisë vendase, të cilët gjenden në një lartësi prej 3 mijë e 637 metrash mbi nivelin e detit, lartësi kjo që del të jetë problematike për shumë futbollistë udhëtues atje.
Uruguaianët u gjendën ne disavantazhin e dy golave që në pjesën e parë, me rrjetat e realizuara nga Arce në të 29-ën dhe Marcelo Moreno në të 45-ën.
As hyrja e Suarez-it në fillimin e pjesës së dytë nuk solli asnjë ndryshim te skuadra e mike, me Bolivinë që fillimisht humbi një 11-metërsh me Morenon në minutën e 62-të ndërsa në të 74-ën mbeti me 10 lojtarë pas daljes me të kuq të Algaranaz.
Pavarësisht se me një lojtar më pak, Bolivia arriti që të trefishojë rezultatin pak minuta para përfundimit të ndeshjes, ku shënues i golit, përsëri ishte Arce.
Fitore shumë të rëndësishme arriti edhe Peruja, të cilët mposhtën në udhëtim skuadrën e Venezuela-s me rezultat 1:2.
Gianluca Lapadula kaloi në avantazh Perunë në minutën e 18-të, ndërsa që në fillim të pjesës së dytë, Venezuela barazoi shifrat me golin e shënuar nga Granadas Darëin Machis.
Për t’i dhënë tre pikët Perusë mendoi i përhershmi Christian Cueva që shënoi golin e pesë në këto eliminatore në minutën e 65-të.
Peruanët ishin me fat në minutën e 68-të, pasi që Machis nuk u tregua i saktë nga penalltia, që mund t’i kishte dhënë një pikë Venezuelës në këtë sfidë.
Kujtojmë që kur kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar, do të jetë një luftë e ashpër për të siguruar pozitat tre dhe katër, që sigurojnë pjesëmarrjen në Katar, si dhe vendin e pestë që siguron zonën play-off për Kupën e Botës që do të zhvillohet në nëntor të vitit të ardhshëm.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com