Sport

Argjentina, Kili, Uruguai dhe Paraguai ofrojnë të organizojnë Kupën e Botës 2030


Argjentina, Kili, Uruguai dhe Paraguaji kanë paraqitur një ofertë të përbashkët për të organizuar Kupën e Botës 2030.

Uruguai organizoi turneun e parë të Kupës së Botës në vitin 1930 dhe thotë se duan ta sjellin Kupën e Botës në “shtëpi” kur ajo feston njëqindvjetorin e saj.

“Kjo është ëndrra e një kontinenti”, tha Alejandro Dominguez, president i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (Conmebol).

Spanja dhe Portugalia kanë njoftuar gjithashtu se do paraqesin një ofertë për të qenë mikpritës të përbashkët.

Uruguai mposhti Argjentinën në finale për të fituar Kupën e Botës përuruese në 1930 dhe Dominguez po fliste në skenën e asaj fitoreje – stadiumin Centenario të Montevideos.

“Do të ketë më shumë Botërorë, por kupa mbush 100 vjet vetëm një herë dhe duhet të kthehet në shtëpi”, shtoi Dominguez.

Kili priti Kupën e Botës në vitin 1962, ndërsa turneu u mbajt në Argjentinë në 1978.

“Është e drejtë që Kupa e Botës të mbahet aty ku filloi gjithçka, 100 vjet më vonë”, tha Ignacio Alonso, president i Federatës së Futbollit të Uruguait.

Kupa e Botës 2022 do të mbahet në Katar, ndërsa Kanadaja, Meksika dhe SHBA do të jenë mikpritëse të përbashkëta në vitin 2026.

FIFA planifikon të zgjedhë mikpritësin e vitit 2030 në vitin 2024.

Shoqatat e futbollit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Irlandës ranë dakord në shkurt të mos konkurrojnë për Kupën e Botës 2030 dhe në vend të kësaj të fokusohen në një përpjekje të përbashkët për të pritur Euro 2028.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore