Përballje

Ardiani, nipi i Luan Krasniqit, kalon në boks profesionist


Të gjithë e njohin Luan Krasniqin.

Në një kohë kur pak, ose fare, shqiptarë mund t’i shinim duke bërë boks profesionist në arenat ndërkombëtare, ishte Luan Krasniqi, që emociononte shqiptarët gjithandej.

Luani, shqiptari nga Juniku i Kosovës, ndeshej zyrtarisht nën flamurin gjerman, por gjithçka tjetër rreth tij ishte shqiptare.

Edhe veshjet në ring ishin me këto motive – kuqezi.

Tani stafeta ka kaluar te një tjetër Krasniq, Ardiani.

Luan Krasniqi

Të shtunën e 4 qershorit Ardian Krasniqi debuton në boksin profesional.

25 vjeçari testin e parë si profesionist do ta ketë kundër Timo Schwarzkopf.

“Mezi po e pres këtë moment”, thotë Ardiani.

“Një ëndërr po bëhet realitet. Nuk kam pasur asnjë vizion apo objektiv me amatorët që nga viti 2020”, duke sqaruar se synimi i tij gjithmonë ishte boksi profesionist.

Atleti 1.85 metër i gjatë, peshon 84 kilogramë dhe ushtron në klubin e boksit Rottweil.

Megjithatë, kjo nuk është pesha në të cilën do ndeshet ai.

Krasniqi synon kategorinë e peshave me të lehta, deri në 79.6 kilogram.

Ardiani është boksier me këmbë në tokë dhe modest. Ai synon shumë, por është i matur në përshkrimin e synimeve të tij.

“Dua të tregoj se jam më i miri” deklaron.

Ardian dhe Luan Krasniqi

 

Krasniqi e filloi boksin 12 vjet më parë, në vitin 2010, si adoleshent.

Ai e pranon se inspirim e kishte axhën, boksierin e nivelit botëror, Luanin. Sot, Luani është menaxher i tij.

Ardiani nuk është veç boksier. Ai ka kryer shkollimin për IT. Ka përfunduar shkollën e mesme dhe më pas kolegjin.

“Në ndeshje do jap maksimumin të bëj fillimisht krenarë familjen time dhe më pas edhe tifozët në sallë. Do të jap gjithçka nga vetja”.

Krasniqi planet i kishte ta fillonte karrierën si profesionist, pas 70 ndeshjeve si amator, në vitin 2021, por pandemia i vonoi planet.

Ardian Krasniqi

“Megjithatë, unë kam bërë stërvitje që nga nëntori. Përveç stërvitjeve në palestër, javët e fundit kam ushtruar edhe në ambient të hapur”.

Ushtrimet intensive do të vazhdojnë. Në javët e fundit, kampit do t’i bashkohen disa boksier të kalibrit të lartë për ta sfiduar në stërvitje Krasniqin, deri sa të vijë kohë për paraqitjen zyrtare në ring.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore