Sport

Arabia Saudite kërkon të hyjë në UEFA Champions League


Arabia Saudite është e interesuar të diskutojë mundësinë e anëtarësimit në turneun më prestigjioz të futbollit të klubeve evropiane, “UEFA Champions League” (Ligën e Kampionëve – ed.).

Pas thashethemeve të javëve të fundit, kompania amerikane “Bloomberg” konfirmon gatishmërinë e ligës saudite për të tentuar të hyjë në garën elitare evropiane të futbollit për klube.

“Ne po përpiqemi të diferencojmë veten, kështu që çdo lloj ndryshimi ose përmirësimi i formatit që mund të futet në ligë do të jetë i mirëpritur”, tha në një intervistë shefi operativ i Saudi Pro League (SPL), Carlo Nohra.

Ai shtoi se SPL-ja është ende “plotësisht e përkushtuar” për të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve AFC, e cila është kompeticioni kryesor i klubeve aziatike.

Çdo diskutim në lidhje me anëtarësimin e ekipeve të SPL-së në Ligën Evropiane të Kampionëve ka të ngjarë të bëhet midis UEFA-s dhe Federatës Saudite të Futbollit.

Midis anëtarëve të UEFA-s janë disa vende jo-evropiane, përfshirë Kazakistanin, skuadrat e të cilit kanë të drejtë të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve.

Zvonimir Boban, shefi i futbollit të UEFA-s, ndërhyri ditët e fundit për këtë temë, duke deklaruar për gazetën kroate Jutarnji List se kjo është një “shpikje”.

“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që këta lojtarë të vijnë në Arabinë Saudite”, shtoi Nohra, i cili më parë ka punuar për World Wrestling Entertainment Inc, duke folur për tregun e transferimeve.

“Kjo nuk do të thotë se ne kemi një buxhet të pakufizuar. Por ne nuk mund ta kufizohemi nëse duam të tërheqim disa prej talenteve më të mirë këtu. Ne duhet të paguajmë tarifat për t’i sjellë këtu”, vijoi shefi operativ i Saudi Pro League (SPL).

SPL-ja ka bërë shumë përpjekje gjatë vitit të kaluar për të tërhequr më shumë sponsorë dhe për të arritur marrëveshje transmetimi me kompanitë ndërkombëtare të medias.

Ndeshjet e tij tani transmetohen në rreth 140 vende, tha Nohra, dhe të ardhurat nga transmetimi janë rritur me 650 për qind që kur Cristiano Ronaldo filloi të luante në Arabinë Saudite.

“Nuk janë të ardhura të mëdha për të financuar të gjitha bizneset që kemi, por është padyshim një lëvizje e rëndësishme”, tha ai. “Rritja e vlerës së korporatës së ligës dhe klubeve është sigurisht në qendër të asaj që ne bëjmë. Nëse kjo i bën klubet dhe ligën një pasuri fitimprurëse, atëherë do ta kishim arritur qëllimin”, përfundoi Nohra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore