Kosova

Aprovohet marrëveshja mes LVV-së dhe PDK-së për grushtet në Kuvend – hidhet poshtë aktakuza


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 2 shtator të këtij viti, ka marrë vendim, të cilën e ka siguruar Albanian Post, për aprovimin e marrëveshjes së lidhur në Qendrën e Ndërmjetësimit në mes zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimit dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mergim Lushtaku në njërën anë dhe me të dëmtuarin ministrin e Financave Hekuran Murati në anën tjetër, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik të vitit 2023 në Kuvendin e Kosovës.

Përmes këtij vendimi, Gjykata Themelore në Prishtinë po ashtu ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut dhe ka pushuar procedurën penale ndaj tyre.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se për aktakuzën e ngritur ndaj Bislimit, Beqës, Lushtakut e Haxhiut, gjykata më 25 maj 2024 ka caktuar dhe mbajtur shqyrtimin fillestar, ku me propozimin e palëve në procedurë është vendosur që kjo lëndë të dërgohet në Qendrën për Ndërmjetësim në Prishtinë, ku dhe në këtë qendër është arritur marrëveshja në mes palëve në procedurë.

Pas një seance gjyqësore që u mbajt në Gjykatën Themelore të Prishtinës për këtë rast, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kishte thënë se kjo marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje u bë për shkak se kjo parti “është e dobët në negociata”.

“Le të përfundon më shpejt si procedurë, Lëvizja Vetëvendosje janë më të dobët, ne jemi të fortë në ndërmjetësim”, tha Haxhiu para gazetarëve.

Kuvendi i Kosovës, i cili përfaqëson organin më të lartë legjislativ i një shteti demokratik, më 13 korrik të vitit të kaluar u kthye në një “sallë përleshjesh”, meqë pati përplasje të ashpër fizike mes opozitës dhe sigurimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit e disa ministrave të Qeverisë, pasi deputetët opozitarë vendosën që të mos lejojnë vazhdimin e fjalimit të Kurtit.

Situata në Parlament eskaloi fillimisht pasi deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, vendosi një letër ku Albin Kurti dukej me hundë të zgjatur si simbolikë e gënjeshtarit, letër ky i larguar pas disa sekondave nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ky akt i Bislimi provokoi situatën edhe më tej pasi Mërgim Lushtaku, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bislimi hodhi ujë në drejtim të Kurtit fillimisht dhe më pastaj vartësit të tij Bislimit, derisa ky i fundit e goditi me shishe të ujit deputetin e PDK-së.

Situata agravoi në përleshje fizike pasi deputetët e PDK-së u përplasën me disa nga ministrat dhe deputetët e opozitës.

Nuk munguan as grushtat e shtyrjet.

Pas agravimit të situatës në sallën e Parlamentit të Kosovës intervenoi edhe mbrojtja e afërt e kryeministrit me qëllim ndalimin e përleshjeve.

Në tentim për të shtensionuar situatën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërpreu senacën fillimisht për 30 minuta e më pastaj për 2 orë, teksa kërkoi nga organet e sigurisë që të vazhdojnë punën e tyre me gjithçka që është e nevojshme.

Situatë e tensionuar vazhdoi edhe pas ndërprerjes së punës së Parlamentit meqë deputetët e pozitës e opozitës vazhduan kacafytjen me akuza e kundër-akuza duke tentuar të argumentojnë se nuk ishin fajtorë për agravimin e situatës në Kuvend.

Reagimi i parë erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës. Të njëjtët fillimisht pasi dënuan përleshjen fizike në Kuvend, etiketuan Besnik Bislimin si nxitësin e tensioneve.

PDK-ja fajësoi zëvendëskryeministrin Bislimi për sulm ndaj deputetëve të kësaj partie, meqë sipas tyre, Bislimi ishte i pari ai i cili goditi me mjetë të fortë, saktësisht shishe të ujit, deputetin Mërgim Lushtakun.

Versionin e saj së përplasjes në Kuvend e dha edhe Lëvizja Vetëvendosje gjersa e quajti si “krim të organizuar” krejt atë çfarë ndodhi në Kuvend.

“Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht”, thuhej në reagimin e VV-së.

Sipas VV-së, teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar “për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në Veri të vendit”, disa deputetë të PDK sulmuan me grushte, “si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”.

“Tempulli i demokracisë në sallë përleshjesh” – krejt çfarë ndodhi në Kuvend dhe më pas

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore