AP INTERVISTA – Ekskluzive me Noam Chomsky-in: Nuk kam qenë asnjëherë kundër Pavarësisë së Kosovës, isha kundër bombardimeve
Filozofi dhe teoricieni amerikan, Noam Chomsky, për opinionin e gjerë kosovar nuk ka qenë asnjëherë lehtë i përtypshëm.
Duke prezantuar gjithmonë një kritik të ashpër të politikës së jashtme amerikane për pothuajse një jetë të tërë, dhe po ashtu duke qenë se opinioni kosovar është prej më pro-amerikanëve në botë, natyrisht ka bërë që kritikat e tij të mos priten fare ngrohtësisht.
Rezistenca ndaj kritikave të tij, sidomos ajo rreth intervenimit të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, ka qenë e pakompromis.
Megjithëkëtë, për Albanian Post, që është edhe intervista e parë e Chomsky-t për një media shqiptare, ai thotë se “kurrë nuk kam qenë kundër pavarësisë së Kosovës”.
Chomsky deklaron se qysh atëherë kishte “menduar se pavarësia e Kosovës është një ide e mirë”. Kritikën e tij, pohon se i ka pasur të drejtuara nga NATO-ja.
“Së pari, nuk kam qenë kundër pavarësisë së Kosovës. Kam menduar se është ide e mirë. Ajo çfarë kam qenë kundër ka qenë lufta e NATO-s, e cila rrënjësisht eskaloi mizoritë e luftës saktësisht ashtu siç parashihej”, tha Chomsky për Albanian Post.
“Nëse e shihni situatën në Kosovë në vitin 1998-1999, dimë shumëçka për të, sepse Kosova ka qenë e mbushur me vëzhgues të OSBE-së që shkruanin raporte të detajuara rreth asaj se çfarë po ndodhte. Kishte nivele të rregullta krimesh”.
Chomsky, ndonëse sipas spektrit të tij kritikues ndaj NATO-s, thotë se në atë kohë përleshjet ushtarake mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Armatës ish-jugosllave, eskaluan në proporcionet më të mëdha. Megjithëse shkëndijat e para të konfliktit ia atribuon UÇK-së, goditjen e mëdha thotë se i bënë serbët.
“Ajo çfarë po ndodhte ishte guerilet e UÇK-së hynin në Kosovë nga Shqipëria duke shkaktuar vrasje të shumë njerëzve, kishte reagime serbe që ishin të hidhëta, brutale dhe të liga që vrisnin edhe më shumë njerëz. Në fakt Thaçi dhe krerët e UÇK-së deklaruan haptazi se qëllimi i tyre ishte që të nxjerrnin reagimin e serbëve në mënyrë që herët apo vonë të kishte edhe reagim të NATO-s. Kjo po ngjante deri në mars të 1999-tës”, vazhdoi ai.
Chomsky duke përmendur negociatat në Rambuje, thotë se kishte pasur “hapësirë për bisedime”, por se ShBA-të kishin vendosur “ta pushtonin Serbinë”. Chomsky shkon përtej linjës së zakonshme se arsyeja e dështimit të marrëveshjes në Rambuje rëndojnë mbi mosgatishmërinë e Slobodan Millosheviçit; e cila edhe praktikisht, ndryshe nga ç’e paraqet Chomsky, solli bombardimet e NATO-s.
“Në mars ishin diskutimet në Rambuje; kishte disa propozime në tavolinë; kishte hapësirë për negociata mes tyre. Shtetet e Bashkuara vendosën të pushtonin duke e ditur me plot siguri se kjo gjë do të rriste ashpërisht mizoritë. Gjenerali Clarke, komandanti i NATO-s, që do të thotë komandanti i ShBA-së, e informoi Uashingtonit para invazionit, se nëse do të kishte invazion kjo do të rriste ashpërsisht viktimat në terren; e informoi shtypin një ditë para invazionit se do të kishte rritje të ashpër të viktimave. Dhe kjo ndodhi, ShBA nisi bombardimet, serbët reaguan në terren ashtu siç u parashikua, mizori të mëdha ndodhën për 78 ditë”, u shpreh ai.
“Më në fund u bë një marrëveshje. Marrëveshja ishte kompromis mes asaj çfarë ishte në tavolinë në mars. Kështu që efekti i refuzimit të ShBA-së për negociata ishte vrasja e shumë kosovarëve duke e ditur se kjo ishte saktësisht ajo çfarë do të ndodhte. Pastaj erdhën marrëveshjet, mund të më pëlqejnë, mund të mos më pëlqejnë, por kërdia ishte e panevojshme. Ishte rezultati i paraparë i invazionit të NATO-s. Këtë e kundërshtoja. Kosova, statusi i saj, duhet të përcaktohet nga popullata e saj. Masa dërmuese donin pavarësi, pra mirë, pavarësi”, u shpreh Noam Chomsky.
Pyetur rreth alarmimeve se mund të ketë përshkallëzime ushtarake në Ballkan, përkatësisht në entitetin serb të Bosnjës dhe në pjesën veriore të Kosovës, kryesisht të banuara me serbë, Chomsky thotë se nuk sheh se një gjë e tillë do të ndodhë.
“Mund të ndodhë, por nuk ka shenja të kësaj. Ka shumë gjëra të kalbura që po ndodhin në rajonin serb të Bosnjës. Në republikën serbe të Bosnjës ka shumë gjëra të kalbura që po ndodhin, dhe në zonat kroate. Por, deri më tani nuk është se ndikojnë në ndonjë mënyrë invazionin rus të Ukrainës dhe reagimin perëndimor ndaj saj. Dhe s’ka gjasa që të ndodhë, janë tejet periferike”.
Sa për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai ndonëse tingëllon i pa-përditësuar, thotë se pa angazhim të theksuar ndërkombëtar vështirë se mund të arrihet zgjidhje e qëndrueshme.
“Janë dy elemente në këtë. Njëra është se çfarë po ndodhë brenda mes Kosovës dhe serbëve, kjo është njëra nga çështjet. Çështja tjetër se a mundet komuniteti ndërkombëtar të merr një qëndrim konstruktiv kundrejt kësaj. Nëse i merrni marrëveshjet për zgjidhjen e konflikteve në rajon dhe më gjerë, ato zakonisht kanë shkuar para kur fuqitë e mëdha futen dhe pajtohen për një lloj akomodimi”.
Sipas tij, serbët në Kosovë duhet të angazhohen sipas ndonjë modeli “federal” me një “shkallë autonomie”.
“Duhet të ketë një akomodim në Kosovë mes shumicës, popullatës shqiptare dhe pakicës në një kënd të Kosovës, popullatës serbe, në njëfarë aranzhimi federal me një shkallë autonomie për rajonet serbe. Mendoj se kjo është çfarë duhet të ndodhë. Kjo kërkon përsëri të dy faktorët e njëjtë. Së pari në terren duhet të ketë një marrëveshje, mes kosovarëve dhe serbëve, duhet të vijnë në njëfarë akomodimi, siç e thatë, kjo nuk po ndodhë”.
Në shumicën e shpjegimeve të tij, Chomsky përdorë argumente të njëanshme dhe varësisht nga sa i konvenon ndërtimit të linjës së tij.
Për shembull, kur bie fjala te bombardimi i NATO-s, ai nuk shikon fare historinë që çoi deri te vendimi për bombardimin, por merret vetëm me fushatën bombarduese duke e gjykuar si të gabuar.
Në anën tjetër, kur flet për situatën e fundit në Ukrainë, bën krejt të kundërtën.
Aty flet vetëm për historinë e problemit, që sipas tij çoi deri te agresioni rus dhe tentim-pushtimi i Ukrainës, por asnjëherë nuk merret me vetë Vladimir Putinin dhe vendimin për të sulmuar një shtet demokratik.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Lajçak: Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një çështje urgjente humanitare
-
Haradinaj takon gjeneralin amerikan që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së
-
Abdixhiku thotë se nëse zgjidhet kryeministër, buxheti i Kosovës do të jetë 5 miliardë euro
-
Komandanti i KFOR-it thekson nevojën për koordinim të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në Kosovë