Shëndet

Anthony Fauci: Pas COVID-it, për çfarë duhet të përgatitemi dhe si


Anthony Fauci, virologu më i njohur në botë, ka mbajtur në Romë një konferencë në Accademia dei Lincei.

Ai prezantoi një lloj manuali: dhjetë mësimet që duhet të nxjerrim nga pandemia.

Por nuk i ka shpëtuar as dhënies së një interviste për të përditshmen italiane “Corriere della Sra”.

“Ne jemi në një gjendje shumë, shumë më të mirë se një apo dy vjet më parë. Por ka ende gjurmë të COVID-it që qarkullojnë, megjithëse në një nivel shumë më të ulët”, ka treguar ai.

Ndaj, sipas tij, paçka se virusin po e lëmë pas, nuk mund të thuhet se ai është zhdukur plotësisht.

“Megjithatë, fakti që niveli i prevalencës është kaq i ulët na lejon të mendojmë se jemi shumë, shumë afër normales. Nuk jemi ende në normalitetin para COVID-it, por jemi afër”, ka thënë ai.

Sipas Fauci-t, fakti që ka ende shpërthime të COVID-it përreth do të thotë që njerëzit e cenueshëm, veçanërisht të moshuarit, ata me sëmundje para-ekzistuese ose që i nënshtrohen kimioterapisë duhet të jenë të kujdesshëm ndaj turmave.

Dhe se këta individë mund të vlerësojnë nëse duhet të mbrohen me maskë, edhe nëse nuk është e detyrueshme.

Pyetjes se a do të duhet të vaksinohemi çdo vit nëse pandemia bëhet endemike, ai i është përgjigjur duke thënë se kjo ka të ngjarë të ndodhë në SHBA.

Ndërkohë, njerëzve më të rrezikuar, ai u rekomandon që të vaksinohen në shtator ose tetor si kundër COVID-it ashtu edhe kundër gripit.

Por ai nuk e di nëse ky do të jetë rregull edhe për vitet e ardhshme.

Se sa gjasa ka që të shfaqen variante të reja, virologu ka thënë se gjithmonë duhet të jemi të përgatitur për t’u marrë me variante që kanë një shkallë të lartë transmetimi dhe një nivel të lartë patogjenezë.

Por ka edhe disa elementë në avantazhin tonë.

“Popullsia ka arritur një prag të mirë imuniteti, i cili është prodhuar si nga vaksinat, ashtu edhe nga infektimi. Shumë më pas u vaksinuan dhe u infektuan. E gjithë kjo redukton në masë të madhe shanset që një variant mund të anashkalojë mburojën e këtij imuniteti të akumuluar me kalimin e kohës”.

Megjithatë, ai paralajmëron se shanset janë të ulëta, por jo të reduktuara në zero.

Përveç vaksinave, cilat strategji të tjera mund të zbatohen për të luftuar këtë apo viruse të tjera? A mund të mbështetemi në barna antivirale efektive dhe të tolerueshme, si dhe në monoklonale të lehta për t’u përdorur në të ardhmen?

“Po, të dyja. Për momentin ka një aktivitet të madh për të zhvilluar antitrupa monoklonale që mund të veprojnë në një mënyrë shumë të synuar kundër virusit që ende qarkullon”.

Sipas tij, ka patur përgatitje të mira monoklonale në muajt dhe vitet e para të pandemisë. Por teksa COVID-i filloi të evoluonte dhe të paraqitej me variante të ndryshme, mbrojtja e antitrupave monoklonale dështoi.

Megjithatë, antitrupat e rinj monoklonalë po zhvillohen shumë shpejt.

“Sa i përket antiviraleve: ka ende shumë punë për të bërë, por tashmë kemi një produkt shumë efektiv, Paxlovid. Nëse një person është vaksinuar dhe përforcuar, por ende infektohet, është e rëndësishme që ai të ketë akses në Paxlovid”.

Për Fauci-n, ekziston gjithmonë mundësia e një pandemie. Është një fakt që e ka shoqëruar njerëzimin që në fillimet e historisë, madje edhe para historisë.

“Kohët e fundit kemi pasur një shpërthim gripi në vitin 1918, pastaj 1957, 1968, 2009, dhe tani jemi në fazën e rënies së një pandemie që nuk e kemi parë në 100 vjet”, ka vijuar ai.

“Pra, është logjike të mendohet se, herët a vonë, do të ketë një tjetër ngjitje. Por ne nuk e dimë se kur: mund të jetë në një vit, në 10 apo 50 vjet. Duhet të jemi të përgatitur, por pandemia tjetër nuk është domosdoshmërisht e pashmangshme”.

Ai po ashtu ka folur edhe për mësimet që duhet të nxjerrim nga ajo që kaluam nga pandemia.

“Më e rëndësishmja, pandemitë janë të paparashikueshme. Nuk mund të mendojmë se mund të imagjinojmë se çfarë do të ndodhë, vetëm sepse tashmë kemi pasur përvoja të tjera. COVID-i na ka mësuar se duhet të presim të papriturën”.

10 mësimet e nxjerra nga COVID-19, sipas Fauci-t:

1) Prisni të papriturën: mos mendoni se keni përvojë të mjaftueshme për të parashikuar zhvillimet e një pandemie.

2) Veproni menjëherë dhe shpejt në shenjat e para.

3) Shkëmbimi i informacionit dhe bashkëpunimi në shkallë globale janë thelbësore.

4) Përdorimi dhe rrjetëzimi i infrastrukturave ekzistuese mjekësore dhe kërkimore.

5) Shfrytëzimi i kërkimit shkencor edhe në fusha të tjera përveç epidemiologjisë.

6) Grupi i viruseve dhe studimi në thellësi i patologjive të tyre.

7) Rritja e vëmendjes për bashkëjetesën mes njerëzve dhe kafshëve.

8) Korrigjimi i pabarazive sociale që reflektohen në sistemin shëndetësor.

9) Keqinformimi është armiku i menaxhimit korrekt të pandemisë.

10) Nuk ka mbaruar, derisa të mbarojë. Një pandemi si ajo nuk mund të çrrënjoset apo anulohet. Megjithatë, ajo mund të kontrollohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore