Pajisje

Amazon-i do të rekrutojë 55 mijë punonjës të rinj globalisht


Kompania teknologjike, Amazon, po planifikon të punësojë 55 mijë njerëz në një përpjekje globale rekrutimi pasi pandemia e coronavirus-it nxit një rritje të shitjes me pakicë në internet, reklamave digjitale dhe cloud-it.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se Andy Jassy, shefi ekzekutiv i kompanisë, ka thënë se kompania planifikonte të merrte më shumë punëtorë në vende të ndryshme në mbarë botën për të nxitur rritjen e shpejtë në firmë.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e pozicioneve do të krijohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku firma planifikon të krijojë 40 mijë role. Afro 2 mijë e 500 do të krijohen në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa pjesa tjetër në Indi, Gjermani dhe Japoni.

Amazon-i ka deklaruar se do të punësonte stafin e ri në Mbretërinë e Bashkuar për zyrat e saj në Londër dhe Mançester, si dhe në “qendrat e saj të teknologjisë” në Kembrixh dhe Edinburg.

Gjithashtu në sfondin e kërkesës së madhe për blerje online dhe mungesa të stafit në shkallë vendi, firma ka planifikuar të punësojë më shumë staf në të gjithë rrjetin e saj të qendrave në Mbretërinë e Bashkuar.

Këto detaje u bënë të njohura në intervistën e parë për shtyp të Jassy-t që kur ai mori postin nga Jeff Bezos.

Ai i tha agjencisë së lajmeve, “Reuters”, se firma kishte nevojë për më shumë staf për të vazhduar me kërkesën në tregtinë me pakicë, cloud-in dhe reklamat.

Makina e rekrutimit do të jetë pjesë e ditës së karrierës së kompanisë, e cila do të mbahet më 15 shtator.

Firma ka bërë me dije se punësimet e reja do të përfaqësonin një rritje prej 20 për qind në stafin e teknologjisë dhe korporatës së Amazon-it, i cili numëron rreth 275 mijë në nivel global.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore