Kompania Amazon ka arritur një marrëveshje globale me Visa-n për të vazhduar pranimin e pagesave nga kartat e kreditit përmes dyqaneve të veta.
Lëvizja i jep fund një mosmarrëveshjeje të tensionuar disamujore mbi tarifat në rritje të transaksioneve.
“Kemi arritur një marrëveshje globale me Visa-n që i lejon të gjithë klientët të vazhdojnë të përdorin kartat e tyre të kreditit në dyqanet tona”, ka thënë kompania.
E përditshmja “Financial Times” tregon se shtesa e aplikuar për përdorimin e kartave të kreditit Visa në faqet australiane dhe në Singaporë do të hiqet që nga e enjtja e 17 shkurtit.
Sakaq, kompania ka konfirmuar se edhe kërcënimi i Amazon-it për të bllokuar pagesat me karta krediti Visa në dyqanin e saj në Mbretërinë e Bashkuar është hequr.
Kurse Visa ka thënë se ishte “e kënaqur” që kishte arritur një “marrëveshje të gjerë, globale”.
Sipas saj, marrëveshja përfshinte një “angazhim të përbashkët për bashkëpunim në iniciativat e produkteve të reja dhe teknologjisë për të siguruar përvoja inovative pagese për klientët në të ardhmen”.
Kohët e fundit, Amazon-i ka eksperimentuar me metoda alternative pagese për blerjen e mallrave në dyqanet e veta, duke përfshirë ato “blej tani, paguaj më vonë”.
Përgjatë vitit të kaluar, marrëdhëniet midis dy kompanive ishin përkeqësuar pasi Amazon-i protestoi kundër rritjeve të mprehta të tarifave të transaksioneve online të Visa-s.
E gjitha pasi tetorin e kaluar, Visa filloi të tarifonte 1.5 për qind të vlerës së transaksionit për pagesat me kartë krediti të bëra online midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.
Njëherazi, nisi të tarifonte 1.15 për qind për transaksionet me kartë debiti.
Rritja e normës bëri që Amazon-i të njoftonte në nëntor se do të ndalonte pranimin e kartave të kreditit Visa si një formë pagese në dyqanet e veta në Mbretërinë e Bashkuar në mes të janarit.
Çka e përshkallëzoi situatën e rënduar.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com