Kosova

Aliu: Hekurudha Prishtinë-Durrës e shndërron Kosovën në një vend kryesor transit


Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka konsideruar se hekurudha Prishtinë-Durrës, do ta kthejë Kosovën në një vend kryesor transit, derisa ka treguar edhe përfitimet që, sipas tij, Kosova do të ketë nga ky projekt.

“Kosova përmes linjës Durrës-Prishtinë bëhet pjesë e një rrjeti regjional, aktualisht është jashtë korridoreve. Pra, i gjithë transporti i mallrave për gjithë regjionin, qoftë në drejtim të porteve, qoftë nga portat në drejtim të regjionit arrin të bëhet përmes Kosovës”, ka thënë fillimisht Aliu në një intervistë për “KosovaPress”.

“Kjo e shndërron Kosovën në një vend kryesor transitit dhe një hap apo një pikë shpërndarëse të mallrave, kjo krijon mundësi për zhvillim ekonomik dhe krijim të zonave ekonomike rreth e përqark kësaj zone të shpërndarjes së mallrave”, shtoi.

Ministri ka theksuar se të dy portet edhe Durrësi dhe Tivari që janë të lidhura, “tash do të lidhen me hekurudhën mes vete, do të lidhen me Prishtinën, dhe nga Prishtina me linjën hekurudhore Prishtinë-Shkup, apo Prishtinë-Nish-Sofje, ose Prishtinë-Leshak-Mitrovicë-Salzburg, lidhet gjithë regjioni përmes këtyre”.

Aktualisht, Aliu ka bërë me dije se janë duke punuar për të përfunduar cëhstjen e fizibilitetit në mënyrë që të realizohet sa më shpejtë projekti për hekurudhën në fjalë.

“Sapo te përfundon çështja e fizibilitetit e që po urojmë të përfundojë më herët, sepse opsionet tashmë janë duke u dhënë në tavolina, presim që të kemi interesimin për financim, tashmë e kemi edhe nga britanikët, gjermanët, dhe të tjerë që veç kanë lëvizur këto mekanizma, që për mua është një befasi e mirë”, pohoi.

“Nuk kam prit që aq shpejtë do të mund të ketë rritje të interesimit. Pra, nëse para tri vjetësh nuk është folur fare për këtë punë, tash është bërë temë e çdo paneli, lidhja hekurudhore e Prishtinës me Durrësin me gjithë regjionin. Nuk është çështja e financave atë që ne si ministri do e shtymë, ne do të merrem me fizibilitetin dhe projektin që ta kemi sa më shpejtë të kemi të realizuar”, potencoi.

Në lidhje me hekurudhën Prishtinë-Durrës kishte folur edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai kishte bërë me dije se janë duke e pritur studimin e fizibilitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore