Cristiano Ronaldo ka marrë një mesazh urimi nga sulmuesi legjendar i Iranit, Ali Daei, pasi portugezi i barazoi rekordin e 109 golave me skuadrën kombëtare.
Ronaldo shënoi dy herë nga pika e bardhë e 11 metërshit në barazimin 2-2 me Francën të mërkurën në mbrëmje, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Euro 2020, duke arritur shifrën e 109 golave me Kombëtaren e Portugalisë.
Të dielën në mbrëmje, Portugalia do të luajë kundër Belgjikës në raundin e të 16-ve në Euro 2020 dhe Ronaldo do të ketë mundësinë të bëhet shënuesi më i mirë në historinë e kombëtareve.
“Urime Cristiano-s që tani është një gol larg thyerjes së rekordit të shënimit të golave me kombëtaren e meshkujve”, tha Ali Daei që shënoi 109 gola në 149 paraqitje me Iranin.
“Jam i nderuar që kjo arritje e jashtëzakonshme do t’i përkasë Ronaldo-s, kampionit të madh të futbollit dhe humanistit të kujdesshëm që frymëzon dhe ndikon në jetë, në të gjithë botën. Vamos!”.
Në fillim të këtij viti, Ronaldo theu rekordin e Pele-s për numrin më të madh të golave të shënuar në gjithë karrierën e tij.
Ronaldo shënoi tripletë në fitoren 3-1 të Juventus-it përballë Cagliari-t në Serinë A, çka e lejojë që të tejkalonte rekordin e Pele-s prej 767 golave.
36-vjeçari ka shënuar deri më tani 783 gola në gjithë karrirën e tij në rang klubesh dhe me Kombëtaren portugeze.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com