Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se shqiptarët në Maqedoni të Veriut po përbuzen, dhe se është e nevojshme një platëformë për legjitimitet.
Këto komente, Ahmeti i ka bërë gjatë një takimi që ka pasur të mërkurën në Tetovë, me ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni të Veriut, Denion Meidani.
Fillimisht, siç njofton BDI, Ahmeti përgëzoi ambasadorin Meidani për detyrën e re dhe e siguroi që marrëdhëniet vëllazërore midis tij dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në vend do të vijojë si gjithmonë.
Më pas, kreu i integristëve e ka njoftuar ambasadorin Meidani për situatën aktuale politike në vend dhe “pasojat që mund të sjell vendimi për të suspenduar dhe mosrespektuar vullnetin e popullit shqiptar të shprehur në zgjedhje demokratike më 8 maj”.
Thënë këtë, Ahmeti i referohet faktit se fituesi i zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në RMV, në kampin maqedonas, VMRO-DPMNE-ja dhe lideri i saj, Hristjan Mickoski, anashkaluan “Frontin Evropian” – që drejtohet nga kreu i BDI-së – si fitues në taborin shqiptar, dhe zgjodhën si partner qeverisës koalicionin “VLEN”.
“Marrëveshja e Ohrit po cenohet edhe nga vasalët e ditëve të sotme që po poshtërojnë shqiptarët çdo ditë e më tepër duka na kthyer pas dhe duke rrënuar të arriturat në aspekt të barazisë në vend”, ka ngritur shqetësimin ai.
Pos kësaj, Ahmeti njoftoi diplomatin shqiptar edhe për angazhimin e Paul Ëilliams dhe ekipit të tij të ekspertëve për hartimin e platformës së legjitimitetit dhe moslejimin e nëpërkëmbjes së vullnetit të shqiptarëve.
Gjithashtu u fol për korridorin 8 dhe u dakorduan që është projekti më i rëndësishëm infrastrukturor historik midis dy vendeve dhe do të vijojë së ndërtuari.
“Porti i thatë në Strugë, kontrolli i përbashkët i kufirit, ndërtimi i hekurudhës Kërçovë – Durrës, korridori 8, me doemos të vazhdojnë dhe të realizohen në përpikëri”, potencohet ndër të tjera në njoftim.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com