Sport

Agim Ademi dërgohet në arrest shtëpiak për 30 ditë


Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit.

“Departamenti i Përgjithshëm Penal ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së Arrestit Shtëpiak në çështjen penale kundër të pandehurit A.A, për shkak të veprës penale Keqpërdorim i besimit nga neni 330 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si dhe veprën penale Shmangie nga tatimi nga neni 307 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Ky i fundit dyshohet për “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj Gjykate.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj Ademit, nën dyshimin se ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së.

Lajmin për Albanin Post e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

Ndryshe, Ademi u arrestua dje nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga Tatimi”.

Derisa këtë e konfirmoi edhe raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës, ku thuhet se kreu i futbollit kosovar dyshohet për veprat e lartcekura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore