Shqipëria

Afganët e evakuuar shijojnë Shqipërinë, por sytë nga ëndrra amerikane


Tek-tuk i gjen të grumbulluar, teksa kalojnë ditën në Tiranë, ose në qytetin bregdetar Durrës.

Kur e pyesin se çfarë gjeti në Shqipëri, afgani Mohammad Javed Khan, i cili dikur një nëpunës në Parlamentin afgan, përgjigjet pa e menduar dy herë: “liria”.

“Liria, për të cilën çdo njeri ka nevojë, për t’u çlodhur, për të fjetur i qetë”, tha ai.

Një tjetër afgan, në profesion mësues, i evakuuar në vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor, e cilëson Shqipërinë si “parajsa”.

Por ajo që të bën përshtypje në bisedën me ta, ndonëse kanë gjetur “lirinë” dhe “parajsën” në tokën e shqiponjave, është fakti se të gjithë kanë një ëndërr: një vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ose Kanadanë.

Në resortin, i cili ndodhet në Golem, Kavajë, strehohen 571 të evakuuar afganë, aktivistë, anëtarë të familjeve të diplomatëve afganë, artistë, oficerë të zbatimit të ligjit dhe shkencëtarë.

Ata zbarkuan në Shqipëri më 13 tetor.

Qeveria shqiptare ka strehuar deri në 2 mijë të evakuuar, të gjithë të strehuar në hotele dhe resorte.

Sipas asaj që është deklaruar, afganët mund të qëndrojnë në këtë shtet për një vit apo më shumë, derisa autoritetet amerikane të përfundojnë përpunimin e vizave të tyre speciale të imigracionit.

Një element që të bie në sy është se shtetasit afganë mund të praktikojnë fenë e tyre në paqe.

Kjo, pasi 2.8 milionë shqiptarë, të cilët janë kryesisht myslimanë, jetojnë në harmoni me komunitetet e tjera ortodokse dhe katolike.

Më 15 gusht 2021, kryeqyteti afgan ra në duart e talebanëve.

Hakimi, një ish-këshilltar i administratës publike në një provincë pranë Kabulit, foli për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

“Njerëzit nuk e prisnin kurrë që kjo të ndodhte kaq papritur”, tha ai.

Së bashku me familjen e tij – gruan, djemtë dy dhe pesë vjeç, të ëmën e tij – Hakimi tregon sesi shkouan në veri të Afganistanit, ku u përpoqën të kalonin në Taxhikistan.

Ai dhe të tjerë gëzojnë lirinë që u është dhënë, duke vlerësuar ngrohtësinë e stafit shqiptar.

Diku aty, të bie në sy një grua e re afgane, e cila studion në laptop.

Siguria ishte arsyeja kryesore për afganët që kërkonin të iknin.

Khan, i cili mbërriti me gruan dhe vajzën e tij tremuajshe, tha se “më në fund ndihem i relaksuar”.

Në resortin e plazhit, edhe fëmijët mund të luajnë të lirë, ndërsa të moshuarit qëndrojnë në bar-kafe, ecin përreth ose shëtisin në breg të detit.

Marrë nga Associated Press, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore