Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se po shqyrton një kërkesë të Ukrainës për të përdorur armët e ofruara nga SHBA-të për të goditur thellë brenda territorit rus.
Pranimi i Biden të martën vjen pasi qeveria e tij është e ndarë nëse do të lejojë përdorimin e armëve amerikane, me departamentin e shtetit, i cili është më i hapur ndaj kërkesës së Kiev-it, përballë Pentagon-it dhe komunitetit të inteligjencës amerikane.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta londineze “Financial Times”.
“Ne jemi duke punuar për ta zgjidhur këtë”, tha Biden kur u pyet nga gazetarët nëse ai do ta lejonte Ukrainën të përdorte Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë Amerikane me rreze të gjatë veprimi (ATACMS), për të synuar vendet brenda Rusisë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që të hiqen kufizimet ndaj armëve me rreze të gjatë veprimi të furnizuar nga perëndimi.
Kjo, në mënyrë që ushtria e tij të mund të godasë aeroportet ruse dhe raketat, si dhe depot e municionit, ruajtjen e karburantit dhe qendrat e komandës dhe kontrollit që janë kritike për Luftën e Moskës.
Washington-i zyrtar në muajt e fundit është larguar nga një ndalim i përgjithshëm për përdorimin e armëve të furnizuara nga SHBA-të për të sulmuar territorin rus, duke i lejuar Ukrainës t’i vendosë ato për sulme mbrojtëse.
Por Zelensky po i bën presion SHBA-ve dhe vendeve të tjera perëndimore që të lejojnë përdorimin e armatimit me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë, si pjesë e strategjisë së tij për të rritur koston e pushtimit për Presidentin Vladimir Putin.
Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, po udhëton në Ukrainë këtë javë me sekretarin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar David Lammy për të takuar Zelensky-in dhe për të diskutuar kërkesën e tij.
Përpara vizitës, Blinken tha në një konferencë për shtyp në Londër “ne do të dëgjojmë me vëmendje partnerët tanë ukrainas”.
Mbretëria e Bashkuar i ka kërkuar SHBA-ve që t’i japë Ukrainës lejen për të përdorur armë me rreze të gjatë të ofruara nga aleatët e saj perëndimorë thellë brenda Rusisë dhe beson se Kievi duhet të jetë në gjendje të synojë objektet dhe asetet ruse.
Nënshkrimi i SHBA-ve është i nevojshëm në mënyrë që Ukraina të përdorë raketat Storm Shadow të ofruara nga MB-të për sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë.
Pentagon-i vlerësoi së fundmi se 90 për qind e avionëve rusë janë zhvendosur në fusha ajrore të paktën 300 kilometra larg territorit të kontrolluar nga Ukraina, jashtë rrezes së ATACMS-it.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com