Stil

Adidas-i do ta rishikojë partneritetin me Kanye West


Adidas-i po e rishikon partneritetin e Yeezy-t me Kanye West.

Njoftimi i markës vjen disa ditë pasi ai tregoi një dizajn bluze “White Lives Matter” në Javën e Modës në Paris.

Edhe pse nuk u përmend polemika, kompania ka thënë se “partneritetet e suksesshme janë të rrënjosura në respektin reciprok dhe vlerat e përbashkëta”.

Reperi dhe stilisti u përgjigj në Instagram, duke pretenduar se firma i “vodhi” dizajnet e tij. Tani postimi është fshirë.

Sipas Adidas-it, vendimi ishte marrë për të vënë në shqyrtim partneritetin pas “përpjekjeve të përsëritura për të zgjidhur privatisht situatën”.

Po ashtu një zëdhënës ka thënë se “partneriteti Adidas-Yeezy është një nga bashkëpunimet më të suksesshme në historinë e industrisë”.

Kurse West përdori një shprehje të fortë në Instagram duke shtuar “UNË JAM ADIDAS”.

Ai u kritikua në fillim të kësaj jave pasi prezantoi një koleksion në Javën e Modës në Paris që përfshinte bluza me sloganin “White Lives Matter”.

Fraza “Black Lives Matter”, e cila përfaqëson kundërshtimin ndaj racizmit dhe brutalitetit të policisë, u përdor gjerësisht pasi George Floyd u vra nga një oficer policie në Minneapolis në verën e vitit 2020.

Por fraza e kundërt e West u kritikua si “shumë e papërgjegjshme”.

Partneriteti thuajse dhjetëvjeçar midis Adidas dhe West ka qenë i tensionuar prej disa kohësh.

Në qendër të bashkëpunimit të tyre është një gamë shumë e njohur atletesh – të njohura si Yeezy – të cilat kushtojnë qindra dollarë, me daljet e reja që shpesh shiten brenda pak minutash.

Në qershor, ai akuzoi Adidas-in se kishte bërë një atlete që dukej e ngjashme me dizajnin e veçantë Yeezy, por nuk ishte pjesë e marrëveshjes së tyre.

Ndërsa Adidas-i ka thënë se do të vazhdojë të bashkë-menaxhojë partneritetin teksa rishikimi është në proces.

Njoftimi vjen më pak se një muaj pasi avokatët e West i dërguan një letër zinxhirit të modës Gap për të thënë se ai nuk do të punonte më me firmën.

Ai akuzoi Gap për dështimin në respektimin e kushteve të marrëveshjes, duke përfshirë dështimin për të hapur dyqane të pavarura për Yeezy-n.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore