Stil

Adidas humbet gjyqin kundër Thom Browne për dizajnin me tre vija


Në Manhattan, një trupë gjykuese ka dal në përfundimin se Adidas-i ka dështuar të tregojë se përdorimi i vijave në veshjet e markës luksoze Thom Browne shkelte markën tregtare me tre vija të firmës së gjigantit të veshjeve sportive.

Po ashtu ata kanë zbuluar se modelet paralele të vijave të shtëpisë së modës nuk kishin gjasa të shkaktonin konfuzion të konsumatorëve me produktet e Adidas-it.

Thom Browne kishte argumentuar se, ndër të tjera, modelet e veta kanë një numër të ndryshëm vijash.

Kurse një zëdhënës i Adidas-it ka treguar se kompania ishte e zhgënjyer me vendimin, por do të “vazhdojë të zbatojë me vigjilencë pronën intelektuale, duke përfshirë paraqitjen e çdo apeli të duhur”.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Thom Browne ka thënë se kompania ishte e kënaqur me vendimin.

Adidas-i e paditi markën në vitin 2021, duke pretenduar se modelet me katër shirita dhe “Grosgrain” të Thom Browne në këpucët dhe veshjet aktive të nivelit të lartë shkelin të drejtat e markës.

Gjithashtu marka ka ngritur mbi 90 padi dhe ka nënshkruar më shumë se 200 marrëveshje zgjidhjeje që nga viti 2008 në lidhje me markën tregtare, sipas dokumenteve gjyqësore.

Më parë, Thom Browne ka përdorur një dizajn me tre shirita në veshjet e tij, duke e ndryshuar atë në modelin me katër vija pasi Adidas-i e kundërshtoi në vitin 2007.

Sipas Thom Browne, konfuzioni midis modeleve të kompanive nuk ka gjasa sepse ato “operojnë në tregje të ndryshme, duke u shërbyer klientëve të ndryshëm dhe ofrojnë produktet e tyre me çmime jashtëzakonisht të ndryshme”.

Dhe se vijat janë një element i zakonshëm i dizajnit për veshjet.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore