Adelina, e emocionuar ndaj lavdatave për Kurtin e Osmanin, gojëmbyllur karshi përbuzjeve mbi ish-krerët e UÇK-së
Jo rrallë herë na ka rastisur që përgjatë emisioneve të ndryshme të ftuarit të eskalojnë duke prodhuar situata të paprecedenta me mënyrën e të folurit – duke kaluar në ofendime të pakuptimta në lidhje me çështje të caktuara.
Menaxhimi i situatës mbetet detyrë e zotësi e prezantuesit të programit – ekzistojnë disa mënyra për ta marrë situatën nën kontroll: ndërhyrja e menjëhershme dhe gjuha e qartë për ta informuar të ftuarin se komentet janë të papërshtatshme, përdorimi i teknikave të intervistimit për të drejtuar bisedën në drejtimin e duhur si dhe nëse këto nuk kanë efekt, opsion mbetet edhe ndërprerja publicitare.
Një nga shembujt sesi të ftuarit mund të kundërshtohen është patjetër moderatori i njohur britanik e shumë kontrovers, Piers Morgan.
I njohur për shikuesit në Shtetet e Bashkuara kryesisht për rolin e tij si ish anëtar i panelit të spektaklit të zbulimit të talenteve “America’s Got Talent” – së fundmi ai po vazhdon të jetë aktual duke korrur sukses me emisionin e tij “Piers Morgan Uncensured”.
Emisioni i Morgan ka sjellë një sërë momentesh ikonike, sidomos gjatë konfrontimeve verbale të moderatorit me të ftuarit e tij.
Një prej më të bujshmëve ishte intervista me një aktiviste vegane të grupit “Animal Rebellion”, Orla Coghlan, e cila ishte ftuar për të folur mbi klimën dhe emergjencën ekologjike si dhe lidhjet e saj me blegtorinë.
Coghlan nisi intervistën duke u përpjekur të paraqiste fakte se si industritë e mishit dhe qumështit po përkeqësojnë krizën klimatike – në ndërkohë, Morgan njihet si një anti – vegan publik.
Kësisoj, Morgan i dha bisedës një kahje tjetër duke e drejtuar atë drejt avokadove, bajameve dhe bletëve – “Nëse bleta është krijesë, atëherë pse po i vrisni? Prodhimi i avokados dhe bajameve po vret miliarda bletë”, i tha ai aktivistes.
Biseda vazhdoi me Coghlan, e cila po jepte maksimumin për ta mbrojtur kauzën e saj, u kundërpërgjigj duke argumentuar se “si avokadot ashtu edhe bajamet janë më pak të dëmshme për planetin sesa ngrënia e mishit”.
Sidoqoftë, Morgan, padyshim që nuk ishte i interesuar të vazhdonte bisedën në mënyrë të shëndetshme dhe tha: “Gjithsesi, shikoni, unë jam i uritur, dhe ju nuk me bindni dot”, teksa ‘live’ në studio atij iu servua një hamburger, të cilin e ngrëni në prezencë të Coghlan.
Kjo intervistë bëri bujë dhe xhiron e rrjetit, duke ndarë publikun në dysh – veganë dhe anti-veganë – njerëzit ishin të lirë të kritikonin Coghlan e Morgan, varësisht nga bindjet e tyre.
Pra Morgan bëri reagimin e tij epik për një temë mbi të ushqyerit, imagjinojeni nëse diskutimi do të ishte mbi tema nacionale?
Nga Morgan kthehemi në Kosovë, dhe ndalojmë pak tek Adelina Ismaili.
Dikur Adelina ishte emër i madh në muzikë që me artin e saj revolucionar të kohës kontribuoi në thyerjen e tabuve dhe shembjen e steriotipeve në shoqërinë shqiptare.
Që e vogël e rritur nëpër skenat e festivaleve dhe gjithmonë (mes disa shkëputjeve) akoma prezente në ekranet tona.
Por sot, Ismaili nuk është e pranishme në ekran me profesionin që e ngriti atë në piedestal – larg muzikës, ajo prej disa vitesh ka nisur një karrierë prej prezantueseje televizive.
Performanca e saj në prezantim ka një diferencë të madhe me zotësinë që ajo kishte në këndim e vallëzim.
Se në prezantim Adelina mbase nuk e posedon “yllin në ballë”, ndoshta më së miri mund ta dëshmojë një nga intervistat e saj të fundit në një emision që e ka nisur tash e disa javë në Radio Televizionin Publik të Kosovës (RTK), ku i ftuar ishte aktori Enver Petrovci.
Në një pjesë të intervistës duke i komentuar figurat politike në Kosovë e Shqipëri, Petrovci zgjodhi të përqeshë e nënçmojë ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe si kundër, aktori thuri lëvdata për liderët aktualë të shtetit, kryeministrin Albin Kurtin si dhe presidenten Vjosa Osmani.
Petrovci tha se Kurti është më i lexuari nga të gjithë politikanët e tjerë dhe e konsideroi si një njeri të bërë vetë, derisa për njerëzit e luftës tha se “lufta i ka bërë këta”, duke u përpjekur për të relativizuar kështu angazhimin e tyre për çlirimin e vendit.
Në anën tjetër, Adelina jo që nuk reagoi kundrejt gjuhës prej një racisti urban të Petrovcit, por edhe buzëqeshte e aprovonte me mimika të fytyrës ato se çfarë po thoshte aktori i njohur për rolet e tij në filmat propagandues të Serbisë.
Fjalë për fjalë, Ismaili e amnistoi krejt opinionin e Petrovcit – madje në ekran reflektonte një lloj gëzimi i papërshkrueshëm i saj, kur Enveri komplimentonte Kurtin dhe paralelisht përqeshte me cinizëm ish-drejtuesit e UÇK-së.
Sigurisht, në një profesion për të cilin Adelina mund të ketë pak njohuri – prezantuesja e emocionuar nga fjalët e Petrovcit për Kurtin, në një moment kishte një mini bllokadë, derisa tha për kryeministrin në gjuhën angleze se ai është figurë politike e tipit “selfmade”.
Më pas, asaj iu kujtua fjala korrekte dhe e përktheu për shikuesit e RTK-së (medium që gjeneron të ardhurat nga taksat që paguhen prej qytetarëve), duke thënë se “ai është i vetë krijuar”.
Këtë pjesë të emisionit jo që Adelina nuk e eliminoi nga intervista para se të publikohej – ajo u shfaq e plotë edhe në mediat sociale (Facebook e YouTube) – por edhe i doli publikisht në mbrojtje Petrovcit, duke luajtur rolin e viktimës.
“I frikshëm linçimi publik që po i bëhet profesor Enver Petrovcit vetëm pse deklaroi se ‘Udhëheqësit e UÇK-së i ka krijuar koha’”, ka shkruar ajo në një imazh të ndarë në llogarinë e saj të Instagram-it.
Deklaratën ofenduese të Petrovcit ndaj udhëheqësve të UÇK-së, Adelina e ka etiketuar si një “vlerësim të një artisti për politikanë”, dhe jo vetëm.
“Nëse një artist nuk guxon ta vlerësojë se një politikan është më artistik sesa tjetri, sa guxojmë të flasim ne tjerët?”, ka përfunduar ajo.
Adelina, nuk iu doli në krah atyre që sakrifikuan për Kosovën e Lirë, të cilës kur Ismaili po shijonte kulmin e karrierës, i ka kushtuar edhe këngë që ushtarët i frymëzuan për luftë e liri në kohën kur po përballeshin me agresionin serb – përkundrazi, ajo i dha mbështetjen deklaratat përbuzëse të Petrovcit ani pse kishte fuqinë për t’i kundërshtuar.
Ndoshta qëndrimet e saj kanë ndryshuar, s’i dihet kurrë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com