“Abuziv dhe klientelist”, opozita kërkon heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për privatizimin e pronës shtetërore
Me nisjes e seancës parlamentare të kësaj të enjteje kanë nisur edhe përplasjet e para.
Kësaj here në lidhje me projektligjin për privatizimin e pronës shtetërore.
Por propozimi i opozitës për ta hequr nga rendi i ditës nuk u miratua, pasi vetëm pesë deputetë opozitarë votuan pro heqjes.
Deputetja demokrate Dhurata Çupi i ka kërkuar mazhorancës të tërhiqet nga ky projektligj.
Sipas saj, ky projektligj është abuziv dhe klientelist, dhe se përmes tij godinat shtetërore i jepen privatit.
“Ju kërkoj ta tërhiqni këtë projektligj, është antikushtetues, i porositur që do të marrë edhe ato pak prona shtetërore që i kanë mbetur shtetit, pronat shtetërore do i jepen privatit për kulla”, ka thënë ajo.
“Projektligj që i jepen klientëve të qeverisë që kanë marrë në bregdet pronat me ligjin për investimet strategjike, është ligj antikushtetues, shkatërron vendin. Vetëm kryeministria do mbetet nesër se atë nuk e lëshon, çdo godinë shtetërore do i jepet privatit”, ka theksuar Çupi.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i është përgjigjur asaj duke thënë se “në rastin më të mirë jeni e painformuar, në rastin më të keq me ligësi kërkoni të dezinformonani”.
“Pse nuk keni qëndruar në komisionin e ligjeve teksa jepja argumente. Pse nuk dëgjove rastet kur qeveria e kaluar kishte shkëmbyer prona me privatin. Synimet janë të qarta, po sanksionojmë një të drejtë që është në Kodin Civil, asgjë më shumë, asgjë më pak”, ka shtuar deputeti.
Edhe Arbi Agalliu, deputet demokrat, ka kërkuar tërheqjen e projektligjit.
Me këtë ligj, sipas tij, u dhurohen oligarkëve pronat shtetërore.
Po ashtu ai ka thënë se amendamentet nuk kanë kaluar konsultimin publik.
“Nuk është propozimi juaj, ju keni propozuar kalimin nga Ministria e Financave te e Ekonomisë, Janë amendamente që s’kanë kaluar konsultim publik. Keni futur javën e kaluar dy amendamente që ndryshojnë thelbin e këtij projektligji, duhet ta tërhiqni, ta kaloni në konsultim publik. Abuzim me pronat publike janë të tmerrshme”, ka thënë ai.
“T’i dhurosh oligarkut atë që deri dje e mbulonit me ligjin për investitorët strategjik. Për aq kohë sa janë shtuar amendamente të reja, këtu fshihet abuzimi me pronën. Është të vjedhësh me lezet, kjo është në fund të ditës. Nuk është meraku i madh i përdorimit të këtyre pronave publike”, ka vijuar Agalliu.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Emigrantët gati për Itali, lënë Gjadrin pas vendimit të gjykatës së Romës
-
KLP reagon pas deklaratave të Berishës: Dënojmë çdo presion ndaj SPAK
-
PD propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur ose jo Sky ECC dhe Encro Chat
-
Gjici kërkon lirinë, gjykata kërkon ngritjen e një grupi ekspertësh për të verifikuar gjendjen shëndetësore