Kosova

Abdixhiku e quan “absurditet përplasës” trajektoren e qeverisë në rrafshin ndërkombëtar: U thye trashëgimia e Rugovës


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në Konferencën Ndërkombëtere “Rugova dhe Perëndimi”, organizuar nga partia e tij dhe Fondacioni ‘Ibrahim Rugova’ në 25 vjetorin e lirisë, ka thënë se ish-presidenti Rugova raportet me perëndimin nuk i konsideronte luks, as çështje interesi, derisa ka theksuar se Rugova nuk ishte properëndimor, por ishte perëndimor, me mendime e me veprime, si intelektual e burrështetas i palëkundur.

“Në gjithë absurditetin përplasës të sotëm, tek i cili absurditet gjejmë sot veten si në habi disi, në gjithë këtë mes dridhjesh të paimagjinueshme të Kosovës me rrugëtimin tonë origjinal euroatlantik, me miq e me aleat, në pabesinë më të madhe të zareve që thyejnë trashëgiminë reale të Ibrahim Rugovës, ne duhet të gjejmë jo vetëm kurajon për veprim të menjëhershëm politik, por dhe besimin në bërjen e këtij rrugëtimi me bindje”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka theksuar se Rugova zgjodhi që nëpërmjet miqësisë e tolerancës, organizimit kolektiv, pacifizmit si sjellje e mirësisë si besim, fillimisht të sigurojë mbijetesën e popullit të Kosovës, e më pas të ndërkombëtarizojë kauzën e vet Kosovës; dhe përfundimisht të realizojë në plotni qëllimet e lëvizjes së tij, për liri, për pavarësi, për demokraci!

“Dhe në gjithë këtë rrugëtim politik, ai thoshte se ‘filozofia e LDK-së është filozofi ndërtimi’, domethënë bashkimi i njerëzve dhe afrimi i tyre në aksione të përbashkëta për realizmin e vullnetit të popullit për liri, pavarësi dhe demokraci, me mjete paqësore e politike. Rugova kësaj ideje e këtij ideali i shërbeu deri në vdekje”, shtoi.

Ai ka potencuar se prijësi i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, kur hyri në politikë besonte te vlerat e lirisë perëndimore dhe kishte një ide e ideal të madh, që këto vlera t’i bënte vlera të përbashkëta të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve në Evropën Juglindore, duke i kthyer në vlera bazike të shtetit të ri, arkitekturën e të cilit e krijoi, me një mjeshtri politike shembullore.

“Rugova veproi në një kohë të thyerjeve të mëdha, kur po shembej Muri i Berlinit e kur Ballkani po i kthehej, për të satën herë, kasaphanave të tmerrshme si produkt i rritjes së nacionalizmit serb. Dhe intelektuali i urtë, në rrethanat e shtypjes represive, nuk mund të qëndronte pranë librit duke e parë popullin tek shtypej. Ai kthehet në një veprimtar politik, duke ndjekë një shembull të krijuesve të mëdhenj të kombit shqiptar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore