Lajme

A paralajmëron fundin e kriptomonedhave kolapsi i FTX-së


Nuk është ende e qartë se sa para të vërteta ose të shpikura gjenden nën rrënoja.

As sa vlerë vodhi apo shkatërroi ish-miliarderi dhe kampioni i mashtrimit Sam “Bankieri i skuqur” me rënien e platformës së tij të kriptomonedhës ‘FTX’.

Flitet për një humbje prej dhjetë miliardë dollarësh, me një milion njerëz që janë lehtësuar me mirësjellje nga paratë e tyre.

Sigurisht, tronditja në botën e kriptomonedhës, e shkaktuar nga mashtrimi gjigant i “Bankman-Fried” (bankieri i skuqur) po sjell me vete një kaskadë kolapsesh dhe problemesh në një sektor që ka qenë gjithmonë i bazuar në themele të brishta.

Ditët e fundit, nxitimi i investitorëve për të tërhequr asetet e tyre nga platformat e kriptove, ka detyruar ndërmjetësin “Genesis Trading”, i cili ka dhënë rreth 50 miliardë hua për investime në këtë treg, t’i mbyllë tërheqiet e tyre.

Është një skenar i barabartë me atë të një banke, përballë së cilës formohet një radhë klientësh që nuk kanë më besim dhe duan të tërheqin depozitat, por institucioni mbyll degët e tij sepse nuk ka likuiditet për të përmbushur kërkesat.

Ndërkohë, “Grayscale Bitcoin Trust”, fondi më i madh i kriptove në botë që kontrollon 3.5 për qind të Bitcoin-it ekzistues, sheh vlerën e tij të bjerë në nivele të ulëta të paimagjinueshme më parë.

Vetë Bitcoin ka humbur mbi 80 për qind të vlerës së tij brenda vitit, deri në pikën ku disa kanë filluar të vënë në dyshim qëndrueshmërinë e të gjithë industrisë së kriptomonedhës.

Ndoshta ishte vetëm çështje kohe para se të shpërthente një skandal si ‘FTX’.

Kontrollet e para nga administratori i falimentimit në Bahamas kanë zbuluar një situatë katastrofike në menaxhimin e librave dhe në përdorimin e fondeve të klientëve të platformës së ndërmjetësimit (në fakt FTX) për financimin e tregtimit të fondit të investimeve të vetë Bankman-Fried, “Alameda Research”, e cila duket se ka humbur gjithçka.

Në këtë sistem të errët, paratë janë zhdukur në një humnerë. Të gjitha të “garantuara” nga një kriptomonedhë e krijuar nga vetë Bankman-Fried, mbështetur nga yje të famshme si top modelja Gisele Bündchen apo kampionia e tenisit Naomi Osaka, nga donacione të mëdha për Partinë Demokratike Amerikane dhe i shoqëruar me retorikë filantropike.

“Sam nuk është një miliarder tradicional, sepse ai beson në konceptin e fitimit për të dhënë mbrapsht”, thotë një video për të gjatë një darke për qëllime filantropike.

Ajo çka ndodhi është që të gjithë bëjnë kriptomonedhën e tyre, nga Bitcoin te Ethereum.

Kështu që sot ka shumë qindra kriptomonedha dhe vlera e tregut të tyre në përgjithësi ka rënë më shumë se 70 për qind nga viti i kaluar, nga 2.8 trilionë dollarë në nën 800 miliardë dollarë (pasi u rrit me po aq në 11 muajt e mëparshëm).

Ngjan pak me piramidat e viteve të para 90’ në Shqipëri.

Fusje 1 milion lekë dhe të gjithë (teorikisht) mund të dilnin me tetë milionë lekë, nëse numri i atyre që futeshin brenda asaj piramide shtohej.

Sa më shumë njerëz futeshin, më shumë mund të shtoheshin interesat e të parëve.

E ngjashme me modelin klasik të piramidës njohur në Shtetet e Bashkuara si “Skema Ponzi”.

Njëlloj si mashtruesi Bernie Madoff, i cili paguante klientët që dilnin nga fondi i tij me fitime imagjinare të mbuluara nga paratë e klientit në hyrje, në vend të krijimit të vlerës.

Derisa një ditë ai nuk ishte më në gjendje të financonte daljet.

E njëjta gjë ngjau me ‘FTX’ këto ditë.

Apo si ndodhi me Enron, i cili falimentoi në vitin 2001.

Vështirë për të bërë dallimin mes të gjitha kriptovalutave, të cilat, duke folur logjikisht, nuk janë asgjë më shumë se lojëra kolosale piramidale.

Ato japin fitime për aq kohë deri sa vjen dikush që është i gatshëm të vendosë para për të mbështetur vlerën e perceptuar të kriptomonedhës dhe lejon dikë tjetër ta shkëmbejë atë me dollarë, duke fituar para në dalje.

Nuk shihet asnjëherë krijimi i vlerës në rrugë. As nuk shohim institucione – një shtet, një rregullator, një bankë qendrore – që i japin autoritet dhe stabilitet.

Problemi është i marrëdhënieve mashtruese në sistemin financiar ndërkombëtar.

Sam Bankman-Fried dhe dështimi i tij janë vetëm simptoma.

Një nga shkaqet është padyshim intensiteti i jashtëzakonshëm i krijimit të parasë nga bankat qendrore kryesore të botës – Rezerva Federale, Banka Qendrore Evropiane, Banka e Japonisë, Banka Popullore e Kinës – në përgjigje të goditjeve të mëdha të vitet e fundit: nga kriza financiare te COVID-19.

Bilanci i përgjithshëm i tyre është rritur nga më pak se 10 trilionë dollarë në prag të krizës financiare të vitit 2008 në 32 trilionë dollarë në mes të pandemisë.

Vetëm gjatë COVID-it ato u rritën me më shumë se 10 trilionë dollarë.

Kjo monedhë e bollshme dhe e lirë, kur bankat qendrore nuk të paguanin as me “norma negative” për ta pranuar, mbështeti vlerën e pothuajse të gjitha mjeteve financiare.

Nga kripto, te borxhi më i dobët, te bursat.

Në përgjithësi, vlera e tregut e të gjitha kompanive të listuara në SHBA arriti kulmin në 199 për qind të produktit bruto të SHBA-ve në fund të vitit të kaluar, kur kishte qenë nën 100 për qind gjatë gjithë kohës deri në fund të viteve 1990 dhe pothuajse gjithmonë nën 150 për qind që atëherë.

Ndërkohë që ky raport tashmë ka rënë në 139 për qind. Në të vërtetë, ne të gjithë e dimë se shumë arsye – duke përfshirë blerjet e pakufizuara të borxhit amerikan nga Fed – kanë çuar në inflacion.

Dhe inflacioni ka çuar në një devijim fillestar nga bankat qendrore, të cilat tani po rrisin me shpejtësi normat dhe po tërheqin një pjesë të monedhës në qarkullim.

Tani për tani ata nuk kanë zbërthyer as gjysmën e murit të parave likuide të ndërtuara me pandeminë.

Katër bankat e mëdha qendrore tërhoqën rreth 4 trilionë dollarë, duke ulur bilancet e tyre totale nga 32 trilionë dollarë në 28 trilionë dollarë.

Por efektet tashmë po shihen. Përplasja e kriptove që ekspozoi mashtrime si Bankman-Fried është një shembull.

Në fund të fundit, edhe problemet e Big Tech janë një tjetër. Vlera e kombinuar e tregut e Alphabet (Google), Amazon, Apple, Meta (Facebook), Microsoft dhe Netflix ka rënë me rreth 3 trilionë dollarë që nga marsi i kaluar.

11 mijë pushimet nga puna të shpallura nga Marc Zuckerberg në Meta, 10 mijë pushimet nga puna të shpallura nga Jeff Bezos në Amazon ose përgjysmimi i fuqisë punëtore të imponuar nga Elon Musk në Twitter nuk janë një shenjë e modeleve të biznesit që nuk funksionojnë në vetvete.

Përkundrazi, të gjitha këto kompani deri vonë kishin vlerësime absolutisht joreale: gjashtë kompanitë më të mëdha të teknologjisë amerikane kishin vlerësime agregate të tregut pothuajse 40 herë më shumë se fitimet e pritura (kur një raport “i shëndetshëm” nuk kalon 14 herë).

Pra alternativa ishte e qartë: ose grupet e mëdha të teknologjisë kishin arritur të rrisnin fitimet e tyre tashmë shumë të larta, ose çmimet e titujve të tyre do të kishin rënë.

Dhe atyre do t’u duhej të shkurtonin kostot – duke pushuar nga puna punonjësit masivisht – për të mbështetur vlerën e aksioneve të tyre.

Një tjetër simptomë e deflacionit të flluskës së madhe globale u pa në krizën e muajit të kaluar të fondit të pensioneve në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndërsa obligacionet e qeverisë së Londrës u shembën nga vlerësimet e tyre ‘të droguara’, ata nuk ishin më në gjendje të paguanin paratë e lidhura për pensionistët.

Banka e Anglisë duhej të ndërhynte. Por ky episod i fundit na shtyn të pyesim veten se cilat janë qoshet e tjera të financave globale ku mund të dalin në dritë skelete në dollapë dhe lot në web.

Ndoshta fondet holandeze të pensioneve. Ata kanë të njëjtën skemë si ato angleze, me investime të pasurive të ndryshueshme për të paguar pensione të një shume të paracaktuar.

Ata kanë bilanc sa një herë e gjysmë sa ekonomia holandeze, kështu që qeveria e tyre nuk mund t’i shpëtojë ata gjatë një krize.

Dhe ato janë investuar gjithashtu në pasuri të paluajtshme, çmimi i të cilave në Holandë parashikohet nga Oxford Economics të bjerë me më shumë se 15 për qind gjatë një viti e gjysmë të ardhshëm.

Pikërisht, rënia e pritshme e çmimit të banesave në vendet e pasura – me çfarë nënkupton kjo për bankat – rrezikon të shënojë fazat e ardhshme të deflacionit të kësaj flluske të madhe të mbështetur nga bankat qendrore.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore