Nëpër dyqane ka të ngjarë të gjenden ushqime të paketuara që premtojnë se mund t’ju mbajnë të ngopur gjatë.
Por a është vërtet e mundur që një ushqim të na ndrydhë oreksin?
Teksa disa kërkime sugjerojnë se konsumimi i disa ushqimeve, të tilla si specat djegës, mund të na bëjnë të ndihemi më pak të uritur, këto studime shpesh përdorin sasi të mëdha ushqimesh dhe testojnë efektet te kafshët, thotë eksperti Gary Frost.
Sipas tij, përcaktimi i këtyre efekteve te njerëzit nuk ka ndodhur ende.
Por një studim shqyrtoi vetitë e kapsaicinës për shtypjen e oreksit në specat djegës, duke përdorur sasi që ngjajnë më shumë me një dietë mesatare njerëzore.
Profesoresha Mary-Jon Ludy e eksperimentoi fillimisht në shtëpi, duke shtuar spec djegës në vaktet e saj derisa vendosi se cila ishte një sasi reale për dikë që jeton në Midwest të SHBA-ve.
Më pas ftoi 25 persona në laboratorin e saj gjashtë herë dhe i ushqeu me tasa me supë domate.
Pas supës, ata qëndruan në laborator për katër orë e gjysmë, në mënyrë që oreksi i tyre dhe shpenzimi i energjisë të mund të matej rregullisht.
Pastaj iu dha një vakt tjetër dhe iu tha se mund të hanin sa të donin.
Kur konsumuan supë që përmbante një gram spec djegës, pjesëmarrësit dogjën dhjetë kalori shtesë në katër orë e gjysmë më pas.
Pjesëmarrësit që zakonisht hanin spec djegës vetëm një herë në muaj, raportuan se kishin më pak mendime për ushqimin më pas dhe hëngrën 70 kalori më pak në vaktin e dytë, krahasuar me ata që zakonisht hanin speca djegës tri herë në javë ose më shumë.
Megjithatë, djegia e dhjetë kalorive shtesë pas një vakti pikant është e vogël dhe nuk do të ketë ndonjë efekt afatgjatë. Frost thekson se studimet si ky, që tregojnë efekte afatshkurtra në oreks, nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë ndonjë efekt afatgjatë.
Në përputhje me këtë studim, një rishikim i 32 studimeve zbuloi se speci djegës, si dhe çaji jeshil, nuk është gjetur vazhdimisht se e shtypin oreksin.
Një tjetër element kryesor në dietat tona që është përfolur se na bën më pak të uritur është kafeja.
Profesori Matthew Schubert rishikoi se çfarë kërkimesh janë bërë deri më tani për të parë nëse mund të ketë diçka në kafe që ndrydh oreksin.
Disa studime zbuluan se pirja e kafesë çoi në një shpejtësi të zbrazjes së stomakut, që është koha që i duhet një vakti për të lëvizur nga stomaku në zorrën e hollë dhe shoqërohet me rritje të urisë.
Por asnjë studim nuk tregoi se diçka specifike po ndodh fiziologjikisht që mund të zvogëlojë oreksin.
Edhe nëse kërkimet e ardhshme zbulojnë një mënyrë që kafeja e shtyp oreksin, ndoshta do të përkthehet vetëm në konsumimin e 100 ose 200 kalorive më pak në ditë, sipas Schubert, gjë që nuk është e rëndësishme.
Përveç përbërësve specifikë, studiuesit kanë shqyrtuar edhe makronutrientët dhe se si ato mund të ndikojnë në oreks. Fibrat dihet se na bëjnë të ndihemi më të ngopur për më gjatë, dhe disa studime tregojnë se ndërsa njerëzit hanë më shumë fibra, shtimi i tyre në peshë ngadalësohet.
Por kjo ndodh vetëm kur ata hanë sasi vërtet të larta të fibrave, sipas Frost.
Gjithashtu është zbuluar se ngrënia e më shumë proteinave ul oreksin, por kjo u gjet vetëm në një provë shumë të vogël.
Ka pasur shumë kërkime duke u përpjekur të zbulohet se cilët makronutrientë ju bëjnë të ndiheni më të ngopur, por nuk ka një përgjigje të qartë.
Gjetjet duket se sugjerojnë se proteinat ka më shumë gjasa t’ju ngopin, por ato nuk janë aq të qarta dhe zakonisht efektet janë të vogla dhe është e vështirë të krahasohen me lloje të ndryshme makronutrientësh”, thotë Yann Cornil, profesor i asociuar i marketingut dhe shkencës së sjelljes. në Universitetin e Kolumbisë Britanike në Vankuver, Kanada.
Në vend që të kërkojmë ushqime specifike për të ulur oreksin, duhet të sigurohemi që po pimë ujë të mjaftueshëm, pasi e ndalon shkurtimisht oreksin, thotë profesori Martin Kohlmeier.
Hulumtimet kanë zbuluar se njerëzit që pinë dy gota ujë para se të hanë, përfundojnë duke ngrënë më pak.
Por çdo ndryshim në oreksin tonë në një nivel fiziologjik do të jetë i vogël dhe afatshkurtër sepse nuk ka një ushqim që na shtyn të hamë më pak.
Një arsye tjetër që asnjë ushqim apo pije nuk mund të shtypë në thelb oreksin për një kohë të gjatë është sepse trupat janë krijuar për të mbajtur një peshë pothuajse konstante, sipas Kohlmeier.
Sistemi i përdorur nga trupi për të rregulluar sa konsumojmë është një nga sistemet më komplekse në trup.
Ndaj mënyra më e mirë për të menaxhuar oreksin është të keni një dietë të ekuilibruar, kështu që trupi nuk është i shtyrë të hajë më shumë për të kompensuar ndonjë mangësi.
Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com