Film

Promovimi amerikan i filmit boshnjak “Quo Vadis, Aida?”, temë diskutimi në shtypin serb


Revista e famshme amerikane, “Variety”, ka publikuar disa artikuj ndër muaj, duke promovuar filmin boshnjak “Quo Vadis, Aida?”, duke i dhënë një vlerësim të lartë dhe duke e lakuar si një prepotent për triumf të një çmimi Oscar.

Një nga skenat e filmit “Quo Vadis, Aida?”.

Pos, revistës “Variety”, për këtë film ka folur edhe ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, e cila mes të tjerash, ka rekomanduar që ky film të shikohet nga audienca sepse trajton një temë të ndjeshme, atë të ngjarjes së gjenocidit të zhvilluar në Srebrenicë.

Por, promovimi i vazhdueshëm i filmit nga mediat dhe personalitetet e njohura amerikane, duket të mos iu ketë pëlqyer mediave serbe.

Njëra ndër gazetat më të lexuara serbe, e përditshmja, Novosti, ka publikuar një artikull brenda së cilit, këtë promovim të bujshëm, e ka quajtur “propagandë myslimane të shtypit amerikan, kundër Serbisë”.

Novosti, ka shkruar se – “shtypi amerikan po imponon këtë film për tu shpërblyer me një çmim Oscar, dhe se filmi le dilemë për diskutim, pasi që aty paraqitet një ushtar serb, i cili prezantohet në kërkim të një delegacioni mysliman nga Srebrenica, ndërsa brenda filmit shfaqen skena teksa ai prek një grua përfundri veshjes së saj”.

Gazeta serbe tutje shkruan se – “ në arkivat origjinale, ekzistojnë fakte të cilat shfaqin ushtarët serbë që e lejojnë gruan nga delegacioni që të hyjë brenda”.

Shtypit serb, përshtypje i ka bërë edhe postimi i ish-sekretares së shtetit, Hillary Clinton, duke e gjykuar edhe atë si pjesë të propagandës amerikane.

Ndryshe, “Quo Vadis, Aida?”, në fokus ka përvojën e grave, të cilat gjatë gjenocidit të Srebrenicës të zhvilluar në vitin 1995, dhe nga kritikët e filmit është cilësuar si një dramë e fuqishme me të cilën Bosnja dhe Hercegovina do të përfaqësohet në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar me metrazh të gjatë”, në ceremoninë prestigjioze të ndarjes së çmimeve “Oscar”.

Nje nga skenat e filmit “Quo Vadis, Aida?”

Filmi artistik flet për një grua boshnjake të quajtur Aida (rol i luajtur nga Jasna Djuriciç), një përkthyese për Kombet e Bashkuara në Srebrenicë, e cila përpiqet të shpëtojë familjen e saj pas rënies të qytetit në korrik të vitit 1995, nga forcat e udhëhequra nën komandën e gjeneralit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç (rol i luajtur nga Boris Isakoviç).

Një nga skenat e filmit “Quo Vadis, Aida?”

Historia shpaloset në vitin e katërt të armiqësive, katër muaj pasi lideri politik serb i Bosnjës, Radovan Karaxhiç nënshkroi të ashtuquajturën “Direktiva 7”, e cila urdhëroi trupat e tij “të krijonin një situatë të padurueshme pasigurie totale, pa shpresë për mbijetesë ose jetë të mëtejshme për banorët e Srebrenicës ose Zepës”.

Një nga skenat e filmit “Quo Vadis, Aida?”

Direktiva u realizua me Operacionin “Krivaja ‘95” të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili përfundoi në masakrimin e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica.

Shumë filma janë përqendruar te lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, por “Quo Vadis, Aida?”, është filmi i parë me metrazh të gjatë që trajton gjenocidin e Srebrenicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore