Kosova

Vazhdon gjyqi në Hagë


Ish-eprorët e UÇK-së

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dalin përsëri para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës. Gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, do të vazhdojë edhe këtë të hënë (sot, 23 shtator).

Gjykimi në rastin e katër ish-drejtuesve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së – rasti më i madh gjyqësor i të ashtuquajturës gjykatë speciale – do të nisë sot në orën 09:00, ndërsa në bazë të kalendarit të DHSK-së, seancë do të ketë edhe të martën, të mërkurën dhe të enjten e kësaj jave (24, 25 dhe 26 shtator).

Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 88 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 89-të.

Zëdhënësi i DHSK-së, Christopher Bennett, ka njoftuar se dëshmitari i 89-të do të dëshmojë në seancë të hapur për publikun. Gjithashtu, në seancën e fundit, ish-pjesëtari i UÇK-së, Halim Berisha, ka qenë dëshmitar në gjykatore. Ai ka dëshmuar pa masa mbrojtëse në gjyqin ndaj ‘Thaçit dhe të tjerëve’.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999. Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore