Kosova

Kurti: Kosova, fener i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën X të dielen, ka njoftuar se ka mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë e diplomimit të studentëve të nivelit master në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokratizimit në Kampusin Global të të Drejtave të Njeriut në Venecia të Italisë, duke marrë shembull rrugëtimin e Kosovës në këtë kontekst.

Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar dy ngjarje të rëndësishme: 75-vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe vizitën e studentëve nga Kampusi Global i të Drejtave të Njeriut në Kosovë. Ai ka potencuar ndër të tjera se këto dy momente historike janë të lidhura ngushtë me përparimin e Kosovës që nga çlirimi në vitin 1999.

“Ashtu sikurse Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut simbolizoi triumfin përfundimtar të shpirtit njerëzor mbi të këqijat e Luftës së Dytë Botërore, gjithashtu edhe Kosova përfaqëson kulminacionin e një udhëtimi të jashtëzakonshëm nga thellësitë e represionit, aparteidit dhe gjenocidit në fener të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor”.

Ndryshe, një grup i studentëve evropianë të nivelit master në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokratizimit nga Kampusi Global i të Drejtave të Njeriut, për çdo vit, në fund të semestrit, qëndrojnë në Kosovë për të parë nga afër punën në terren të aktorëve të angazhuar për të drejtat e njeriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore