Kosova

Tahiri: 9 shkurti do jetë votë ndëshkuese ndaj qeverisjes më të dobët në histori të vendit


Besnik Tahiri

9 shkurti i 2025-së, data kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, sipas Shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, do të jetë votë ndëshkuese ndaj qeverisjes më të dobët në histori të vendit, duke ekzekutivit të drejtuar nga Albin Kurti.

Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në platformën X, ku ka theksuar se partia që ai përfaqëson “kurrë në historinë e vet nuk ka qenë më e fortë se në këto zgjedhje”.

“Me koalicionin që e ka, me qeverisjen lokale në pesë komunat që e ka dhe me pozicionimin shumë të saktë të udhëheqësit tonë. Rezultati zgjedhor do të jetë befasi, AAK do të ketë rezultatin më të mirë”, shkroi Tahiri.

Më 16 gusht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte caktuar 9 shkurtin e 2025-së si datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kjo është hera e parë pas pavarësisë që në Kosovë organizohen zgjedhje të rregullta, duke qenë se të gjitha të tjerat ishin të jashtëzakonshme, për shkak të dorëheqjeve të kryeministrave apo mocioneve të mosbesimit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.

Ato i kishte fituar në mënyrë plebishitare Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.

Nga lista fituese, pra e LVV-së, e cila ishte në koalicion me Listën Guxo, që atëbotë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, janë zgjedhur tre krerët e institucioneve kryesore të shtetit, konkretisht Albin Kurti Kryeministër, Vjosa Osmani Presidente dhe Glauk Konjufca, Kryetar i kuvendit.

Në ato zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse; Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%); PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%); LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore