Kosova

“Përndjekje ndaj simbolit tonë kombëtar”, Mustafi dënohet nga Serbia për ngritjen e flamurit shqiptar


Ish-Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka njoftuar se është dënuar për herë të pestë për ngritjen e flamurit shqiptar.

“Ky është një absurd dhe përndjekje e hapur ndaj simbolit tonë kombëtar, që nuk është gjë tjetër veçse përpjekje për përndjekje politike, me qëllim frikësimin dhe censurimin e atyre që shprehin hapur identitetin e tyre kombëtar”, shkroi ai në Facebook.

Për Mustafin, ky akt është presion kundër të ndryshmes dhe intolerancës ndaj të tjerëve, një qasje diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Nuk është vetëm tek flamuri, por liria jonë e shprehjes, e drejta për të ekzistuar dhe për t’u identifikuar si shqiptarë. Fakti që një veprim simbolik si ky, trajtohet ende me ndjekje kundërvajtjeje tregon se sa larg ka shkuar kjo fushatë ndaj të drejtave tona”, shtoi.

Ai ka potencuar se kjo baltosje e vazhdueshme, është si përpjekje për të dobësuar kauzën për identitet dhe dinjitet, teksa shton se “lufta jonë për të drejtat tona vazhdon, pa marrë parasysh pengesat apo presionet që na bëhen”.

“Nuk jam më në krye të Këshillit Kombëtar Shqiptar as punonjës i këtij institucioni siç deklarova në gjykatën e Vladiçki Han-it, dhe thash megjithatë, po të isha përsëri në të njëjtën situatë ose në një funksion tjetër, me vetëdije të plotë do të bëja të njëjtën gjë, pavarësisht pasojave”, potencoi Mustafi.

Ndryshe, shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës vazhdimisht diskriminohen nga shteti i Serbisë.

Institucionet serbe i mohojnë atyre të drejtat elementare. Madje, shqiptarëve atje, veçanërisht në Medvegjë, po i pasivizohen adresat, çështje kjo që së fundmi u ngrit edhe në Senatin amerikan.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës vazhdimisht kanë kërkuar që të drejtat e tyre të jenë reciproke me ato të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore