Kosova

Ish-diplomati serb: Kosova histori e mbyllur, Vuçiçi po e dorëzon


Nebojsha Vujoviç

Ish-shefi i Misionit të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nebojsha Vujoviç, ka thënë se Kosova është një histori e mbyllur.

“Kosova është histori e mbyllur, atë e mori macja me vete”, ka thënë Vujoviç, në një intervistë për mediumin serb Nova.rs, derisa ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka humbur gjithçka në paqe që “disa njerëz të mirë kanë ruajtur gjatë luftës”.

“Vuçiçi po e dorëzon Kosovën, nuk është se po e rrëmben Perëndimi. Ata ma kanë rrëmbyer edhe në Kumanovë, kështu që në nenin e parë të marrëveshjes kam thënë se Kosova është pjesë përbërëse e Republikës Federale të Jugosllavisë, edhe pse në atë kohë ishte bombarduar”, theksoi ai.

Ai ka theksuar se serbët nga Kosova aktualisht janë në një situatë shumë të keqe, pothuajse të pashpresë, teksa për këtë e ka fajësuar presidentin serb dhe Listën Serbe.

“Banjska shërbeu vetëm si kapsollë për të shpërthyer dhe për të kryer punën shpejt”, pohon diplomati serb.

Ai e krahasoi propozimin e Vuçiçit për organizimin e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës dhe kthimin e serbëve në policinë dhe drejtësinë e Kosovës, me historinë e elefantit në dyqanin e xhamit.

“Elefanti bën tre ose katër lëvizje dhe thyen gjithçka, pastaj ulet në parket dhe përpiqet të ngjitë enët. Nuk ka asgjë nga ajo punë”, potencoi ai.

Vujoviç mendon se Vuçiçi, “si lider autoritar, nuk i përshtatet sistemit të vlerave bazë të Bashkimit Evropian, si demokracia, liria e mediave dhe ndarja e pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ”.

“Megjithatë, Evropës nuk i intereson se si është Vuçiçi. Rëndësi ka që Vuçiçi ‘të japë qumësht’, pavarësisht nëse është me çokollatë, siç është Kosova, apo pak e helmuar, si litiumi”, ka ilustruar ai.

Sipas tij, për Perëndimin është e rëndësishme që Serbia të dërgojë municione në Ukrainë, por ai thotë se pak flitet për dërgesat e armëve në Izrael.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore