Shqipëria

Pushime nën “ethet e Nilit”


Të paktën 92 persona janë konfirmuar si të infektuar në Shqipëri me virusin e Nilit Perëndimor, i cili përhapet më shpesh gjatë verës në Evropë, nga 256 testime gjithsej të kryera prej Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), mëson Albanian Post.

Me mbylljen e sezonit veror, disa problematika shëndetësore shoqëruan pushuesit në zonat bregdetare, me simptoma që përfshinin dhimbje koke, ethe, të vjella dhe këputje.

Ky virus, i cili përhapet nga pickimi i mushkonjave, mund të shkaktojë ethet e Nilit Perëndimor.

Emërtohet i tillë, pasi u izolua për herë të parë në vitin 1937 në rrethin e Nilit Perëndimor të Uganda-s.

Që atëherë, janë regjistruar vatra në Egjipt, Izrael, Afrikën e Jugut dhe në pjesë të Evropës, Azisë dhe Amerikës së Veriut.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve konstaton se rreth 80 për qind e infektuarve nuk shfaqin simptoma, ndërsa më pak se 1 për qind e infeksioneve mund të shkaktojnë sëmundje të rënda që prekin sistemin nervor.

Vatrat e virusit në vendin tonë janë hetuar duke kontrolluar vektorin e transmetimit, vëren më tej Instituti i Shëndetit Publik.

“Përveç hetimit epidemiologjik është kryer hetimi entomologjik dhe janë dërguar rekomandimet përkatëse lidhur me masat që duhet të merren në vatra dhe përreth tyre për kontrollin e vektorit të transmetimit dhe për të parandaluar shfaqjen e rasteve të reja sipas çdo rasti dhe problematikës së vënë re”, shtoi në përgjigjen e saj zyrtare ISHP-ja.

Ky institucion u përfshi më herët në takime me administratat vendore të Lezhës, Kurbinit, Lushnjës, Fierit, Roskovecit dhe Vlorës, lidhur me procesin e dezinsektimit.

“Ju sqarojmë se procesi i dezinsektimit ka vijuar të kryhet në zonat bregdetare dhe urbane që nga muaji maj e në vijim, sipas gjetjeve në terren dhe kërkesave të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) të zonave të përfshira në këtë proces: Shkodër, Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier dhe Vlorë”, sqaroi Instituti i Shëndetit Publik për AP-në.

Rikthimi i procesit të dezinsektimit nga ana e ISHP-së në bashkinë e Vlorës, nxorri në pah faktin që kjo njësi e qeverisjes vendore nuk kishte kryer vetë asnjë procedurë tenderuese për këtë objekt.

Ishte Agjencia e Prokurimit Publik (APP), e cila konfirmoi për Albanian Post se nuk rezulton asnjë procedurë tenderimi e zhvilluar nga bashkia (Vlorë – ed.) si Autoritet Kontraktor për objektin e dezinsektimit pas vitit 2020.

“Nga verfikimet e kryera në Sistemin e Prokurimit Elektronik për objektin e ‘dezinsektimit’ për Autoritetin Kontraktor të sipërcituar nga ana juaj nuk rezulton të ketë zhvilluar procedura për vitet e kërkuara, gjithashtu në portalin Open Data ju mund të aksesoni të gjithë informacionet”, u shpreh APP-ja duke kërkuar që t’i drejtohemi bashkisë për më shumë informacione të detajuara.

Bashkia e Vlorës nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga Albanian Post.

Mungesa e zhvillimit të tenderave për dezinsektimin, nuk kanë përfunduar në lupën e SPAK-ut, pasi nga ana e saj Prokuroria e Posaçme nuk konfirmoi dhe as nuk mohoi zyrtarisht nëse ka nisur ndonjë hetim të mundshëm lidhur me procedurat tenderuese për dezinsektimin.

“Në përgjigje të kërkesës tuaj të datës 03.09.2024, ju njoftoj se nuk kemi asnjë informacion apo koment për të ndarë me median”, deklaroi koordinatorja për të drejtën e informimit në SPAK, Suela Çollaku.

Procedurat tenderuese për dezinsektimin kanë qenë më herët pjesë e hetimeve nga SPAK-u.

BIRN raportoi se hetimet nisën në vitin 2019 ndaj njërës prej kompanive pjesëmarrëse për “shkelje të barazisë në tendera” dhe një tjetër problematikë u përsërit në vitin 2022 me ankesa të kompanive për procedurat tenderuese, duke çuar në anulimin e garës.

Edhe pse në disa Qendra Shëndetësore Verore u vu re një fluks i shtuar pacientësh me probleme gastro-intestinale gjatë sezonit veror, ISHP-ja thotë se “nuk ka asnjë rast që nuk është monitoruar dhe ndjekur”.

“ISHP-ja ka ndjekur dhe monitoruar të gjitha rastet e konfirmuara dhe të mundshme në bashkëpunim me NJVKSH përkatëse dhe mjekët në QSUT, mjekë të spitaleve rajonale
apo mjekë të familjes. Gjithashtu ju bëjmë me dijeni se për Ethet e Nilit Perëndimor nuk ka trajtim specifik etiologjik por vetëm trajtim mbështetës”, ravijëzoi në përmbyllje Instituti i Shëndetit Publik.

Hulumtimet e publikuara gjatë këtij viti në revistën “Nature Communications” treguan sakaq se një kombinim i ndryshimeve klimatike dhe dendësisë më të madhe të popullsisë kanë rritur aktualisht ekspozimin e njerëzve ndaj këtij virusi më shumë sesa në të kaluarën.

Bartësit e virusit janë zogjtë e egër dhe mushkonjat (më shpesh të tipit Culex, ku përfshihet mushkonja e zakonshme e natës), pickimi i të cilave është mjeti kryesor i transmetimit te njerëzit, shkruan “Corriere della Sera”.

Mjete të tjera infeksioni, edhe pse të rralla, janë transplantimi i organeve, transfuzioni i gjakut dhe transmetimi nga nëna te fetusi gjatë shtatzënisë.

Ethet e Nilit Perëndimor nuk përhapen nga personi në person.

Mushkonjat mund të bëhen bartës të virusit duke kafshuar zogjtë e infektuar.

Mushkonjat e infektuara, nga ana tjetër, mund të infektojnë njerëzit dhe kafshët, veçanërisht kuajt, por edhe qentë, macet dhe lepujt.

“Ethet e Nilit” shoqëruan edhe këtë sezon turistik një pjesë të pushuesve shqiptarë dhe të huaj, duke sjellë në vëmendje mungesën e procesit të dezinsektimit në vend para stinës verore.

Të paktën, referuar ISHP-së, faktohet se të gjitha rastet e infektuara “u vërejtën në zona që nuk janë pjesë e programit të dezinsektimit (bregdeti)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore