Kosova

Haradinaj: Kurti me politikën e tij të “showbiz”-it e bëri Serbinë partner më serioz të aleatët tanë


Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, me politikën e tij e ka bërë Serbinë partner më serioz të aleatëve të Kosovës.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një intervistë për “Kanal10”, duke folur për të ashtuquajturat masa që i prezantoi Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për gjoja mbrojtjen e serbëve të Kosovës, javën e kaluar.

“Kurti me politikën e vet të ‘showbiz’it, e të fotove, e të sukseseve të ditës e fuqizojë Serbinë, e bëri Serbinë si partner ma serioz të aleatët tonë edhe e dobësoi shumë pozicionin e Kosovës deri në atë masë sa që ne jemi të ndëshkuar”, tha Haradinaj.

Pra, në vlerësimin e tij, nuk është çudi që Vuçiç-i, “i cili është një pasardhës i Millosheviç-it, tani duke parë dobësimin e Kosovës në planin ndërkombëtar inkurajohet kërcënime, kërkesa që kuptohet janë vazhdimësi e politikës millosheviçiane kundër Kosovës”.

“Tragjedia jon është – nuk është tragjedi çka ai kërkon – si arritëm ne me humb besimin e aleatëve tonë, e si arritëm ne me qenë të ndëshkuar edhe pas sulmit terrorist në Banjë Serbia mos me qenë e ndëshkuar”, shtoi.

Ish-kryeministri është i bindur se këto janë pasoja të politikës së Kurtit.

Që nga ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë, Kosova është kritikuar – si kurrë më parë – nga bashkësia ndërkombëtare, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, posaçërisht në lidhje me vendimet e marra në Veri.

Përveç kritikave të ashpra dhe publike, Kosova është edhe nën masa ndëshkuese nga BE-ja për më shumë se një vit, po për aksionet që i ka ndërmarrë në Veri.

Po ashtu, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës ishte përjashtuar nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 23”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore